3.5 C
New York
Saturday, December 28, 2024

Buy now

SPAK hetim të hollësishëm pasuror për Fondacionin e Liri Berishës

- Advertisement -

SPAK, i cili muaj më parë nisi hetimet për origjinën e pasurive të gjithë familjes Berisha, po heton edhe fondet dhe pasuritë e paluajtshme të Fondacionit për Fëmijët Shqiptarë, organizatës joqeveritare të themeluar nga Liri Berisha.

Sipas informacioneve të mbledhura nga redaksia investigative e Shqiptarja.com, SPAK po analizon të ardhurat dhe shpenzimet e fondacionit, (zyrtarisht dedikuar për ndihmën e fëmijëve autikë), përfshirë donacione dhe blerje. Ndër të tjera, hetimi po prek edhe fondet e investuara për blerjen e një vile të Fondacionit në zonën e ish-liqenit të Farkës e cila përdoret si seli e biznesit.

Fondacioni i Liri Berishës është përmendur në disa kronika të mediave në të kaluarën, pasi u zbulua se gjatë një darke bamirësie të organizuar në Tiranë në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha, biznesmenë të ndryshëm blenë vepra arti me çmime shumë të larta të nxjerra në shitje në ankand nga Fondacioni. Ndër të tjera është blerë një pikturë për 100 mijë euro. Çmimi i paguar e kalonte shumë herë vlerën reale të punimeve dhe që atëherë dyshohej se ato blerje ishin maskuar në formë bamirësie, por që në të vërtetë ishin “dhuratat” e paguara për fondacionin Liri Berisha, të cilat më pas bashkëshorti ia ktheu me tendera dhe favorizime të tjera politike.

Tashmë SPAK po heton për herë të parë pasqyrat financiare të Fondacionit, si dhe pjesën tjetër të pasurive të familjes. Në qendër të hetimit financiar janë dhjetëra toka dhe apartamente në pronësi të vajzës së tij Argitës dhe dhëndrrit të tij Jamarberit dhe djalit të tij Shkëlzenit. Llogaritë e tyre rrjedhëse, kreditë bankare, faturat, konsulencat, shpenzimet jashtë dhe natyrisht vila luksoze e Gjirit të Lalzit në qendër të një operacioni misterioz pronash të paluajtshme që ndodhi në të njëjtën periudhë kur Sali Berisha i dha leje ndertimi ndërtuesit që po bënte resortin dhe vilën që më pas u bë pronë e tyre.

Hetimet pasurore për familjen Berisha, të cilat asnjë autoritet shtetëror nuk ka guxuar t’i kryejë ndonjëherë në të kaluarën, nisën pasi SPAK nisi procedimin penal për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-Klubit sportiv Partizani për të cilin Sali Berisha dhe dhëndrri janë ende në arrest shtëpie./Shqiptarja.com/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit