Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu duke folur për kushtet në të cilat operon Ndërmarrja Publike Trepça, ka vlerësuar se që nga paslufta e deri më sot, Qeveritë janë marrë vetëm me siç thotë ai “harrimin” e Trepçës.
Spahiu e ka parë si veprim të duhur që Kosova të ftoj korporatat e mëdha të investojnë nga fillimi në mënyrë që të bëhet funksionimi më i mirë i kësaj ndërmarrje.
“E gjithë kjo periudha e pasluftës është marrë vetëm me “harrnimin” e Trepçës. Është problematike që prej kësaj gjendje ku është tani Trepça, prej këtij kuadri që e ka me bë diçka çfarë do të meritonte Kosova, shoqëria jonë. Ndoshta gjëja më e mirë do të ishte të ftohen korporatat e mëdha që me hap për së pari shkritore e prodhime të tjera. Të mbyllet shkritorja e plumbit në Zveçan, elektrolizën e zinkut dhe me nis prej fillimi”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Për Spahiun, Kosova demokratike nuk e ka aftësinë për ta vënë në funksion Trepçën. E gjithë kjo sipas tij për shkak të mungesës së përgjegjësisë dhe ekspertëve adekuat për shumë lëmi.
“Janë aftësitë tona me vu në funksion. Kur flasim për aftësinë s’po flasim vetëm për strukturat brenda në organizatë por edhe vet shteti. Trepça ka funksionu në një kohë kur ka qenë Jugosllavia një shtet që ka pasur marrëdhënie diplomatike me krejt botën, që ka pasur ambasada funksionale, që e kanë siguruar tregun. Tash është vështirë me menaxhu një korporatë aq të madhe në një sistem demokratik, për shkak se papërgjegjësia dhe mungesa e ekspertëve në shumë lëmi kanë bërë që tash me funksiou vetëm miniera, gjëja më e thjeshtë. Ka qenë e pritshme që Qeveria me bë investime, në kuptim që nuk është që Kosova nuk ka para me bë një shkritore të plumbit a zinkut, por thjeshtë ka mungesë indesh e vizioni. Nuk është shteti i Kosovës i aftë me vu atë në lëvizje”, ka shtuar ai.
Trembëdhjetë minatorë të kombinatit metalurgjik Trepça kanë pësuar lëndime të mërkurën gjatë transportimit të një acidi në ambientet e punës. Ata janë jashtë rrezikut për jetë.