Profesori i shkencave politike, Nexhmedin Spahiu, ka propozuar që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) t’i nominojnë kandidatët e tyre për president të vendit, pa dalë rezultatet, në mënyrë që të shmanget një krizë e re politike.
Sipas Spahiut, partitë opozitare duhet të propozojnë nga dy emra për postin e presidentit, ndërsa më pas të krijohet mundësia për një marrëveshje politike rreth kandidatit që do të gëzonte mbështetjen më të gjerë në Kuvend.
“Akoma pa dalë rezultatet, unë ftoj PDK-në dhe LDK-në që tani t’i nominojnë dy kandidatët e saj për president, që tani. Në mesin e këtyre katër të propozuarve, unë do ta zgjedh njërin. Sepse, kandidatin e asaj partie që zgjedh, unë do shkoj t’i jap nënshkrimet për dy kandidatët e asaj partie edhe mund të mos iu tregoj njerëzve se cilët kandidatë i kam përzgjedhur, por gjithsesi i jap nënshkrimet për dy kandidatët edhe kur të dalin në votime e votoj atë që shumica e deputetëve e parapëlqen. Ky është skenari më praktik, pazari më real”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Spahiu e ka cilësuar këtë si skenarin më praktik për zgjedhjen e presidentit në rrethanat aktuale politike, duke shtuar se edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk duhet të presë momentin e fundit për të nisur diskutimet për këtë çështje.
Ai ka paralajmëruar se në rast se partitë nuk arrijnë të propozojnë kandidatë dhe të ndërtojnë konsensus, vendi mund të përballet sërish me zgjedhje të reja.
“Kjo është mënyra më praktike se qysh duhet me u zgjedh presidenti në kushtet dhe rrethanat ekzistuese. Albin Kurti, nëse e ka njëmend me zgjedh presidentin nuk duhet me pritë momentin e fundit, por duhet që tani. Nëse, PDK e LDK nuk janë në gjendje t’i propozojnë dy kandidatë rrezikohet prapë për zgjedhje të reja”, tha ai.






