Kriza për PlayStation 5 ka mbaruar sipas Sony. “Kushdo që dëshiron të blejë një PlayStation 5 nuk do të ketë vështirësi të gjejë një të tillë nëpër dyqane në mbarë botën,” tha shefi i gaming pranë Sony gjatë një prezantimi në CES 2023.
Kompania njoftoi se ka shitur afro 30 milionë konsola PlayStation 5, 5 milionë më shumë sesa herën e fundit që raportoi në Nëntor.
PlayStation 5 debutoi në nëntor të 2020-ës dhe deri në gusht të 2022 ishte thuajse e pamundur të gjenit këtë konsolë nëpër dyqane, dhe nëse kishte çmimet ishin në nivele të çmendura.
Gjatë prezantimit në CES, Sony falënderoi konsumatorët për durimin e tyre ndërsa kompania kishte kaluar një periudhë kërkese të lartë në dy vitet e fundit përballë një krize të vërtetë çipesh.
Kompania po përgatitet për lançimin e PlayStation VR2 në shkurt.