Përkundër që në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa ishte konstatuar miratimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e një përqindje të mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.
Deputeti Muja tha se do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.
“Megjithatë, bazuar në nenin 37 të Rregullores së Kuvendit, komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim që në këtë rast, për të kaluar në emër të Komisionit, do të duhej të kishte 5 vota për, që nuk është arritur. Dhe me ketë konstatoj se Komisioni nuk e ka përkrahur Projektligjin për miratim në parim ashtu siç parashihet me Rregulloren e Kuvendit”, theksoi Muja.
Mirëpo, në këtë mbledhje, mori pjesë edhe deputeti nga AAK Besnik Tahiri, i cili është shprehur i zhgënjyer me konstatimin e fundit që nuk kalon Trusti.
“Urime që kaloi Trusti! O Zoti, pa ju vra mos e lashtë!”, tha me ironi Tahiri.
Pas kësaj, Komisioni votoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit Opec për Zhvillim Ndërkombëtar. /Kanal10/