Tani kur kontrata rreth 12 milionëshe për rifunksionalizimin e menzës dhe përgatitjen e ushqimit për punëtorët e KEK-ut është drejt finalizimit, punëtorët janë alarmuar se më nuk do t’i marrin 5 euro shtesë në ditë për shujtë ushqimore.
Në qoftë se kjo vendoset në letër, nga muaji kur funksionalizohet menza, paga e tyre zvogëlohet për të paktën 110 euro.
Për ta parandaluar një situatë të tillë, Sindikata e Re e KEK-ut u mobilizua dhe më 21 shkurt të 2025-ës mori vendim, me të cilin e kundërshton ndaljen e mjeteve për shujta ushqimore për punëtorët.
Në këtë vendim thuhet se sindikata nuk do të lejojë që paratë e punëtorëve t’u jepen operatorëve ekonomik.
Sindikata kërkon që punëtorët të mos detyrohen të ushqehen në menza dhe t’iu ndalen mjetet financiare pa pëlqimin e tyre.
E në qoftë se ky sistem imponohet dhe kërkesat e tyre nuk merren parasysh, Sindikata paralajmëron se do të organizojë protesë dhe punëtorët do e bojkotojnë ushqimin në menzë.
Sindikata këmbëngul që paratë e punëtorëve nuk mund të transferohen pa vullnetin e tyre te operatorët ekonomikë.
Vendimi i sindikatës gjeti përkrahjen e punëtorëve të cilët thonë se ata nuk janë skllav dhe se ata vendosin vetë për veten e tyre, e jo menaxhmenti të cilin e akuzojnë për vjedhje.
Sipas sindikatës, me vendimin e tyre pajtohen rreth 98 për qind e punëtorëve të KEK-ut.
Në qoftë se menaxhmenti i KEK-ut ua ndalë shtesat për ushqim punëtorëve, sipas sindikatës, kjo do të ishte favorizim për kompaninë që e fiton tenderin.
E dikush dyshon se në këtë rast ka konflikt interesi. Sipas kryetarit të Shoqatës së Divizionit të Qymyrit, punëtorët janë kundër rifunksionalizimit të menzës, pasi që gjatë kohës sa janë ushqyer aty, thotë se helmimet kanë qenë të përditshme.
Xhelal Jashari konsideron se kjo është një vjedhja e punëtorëve nga ana e menaxhmentit.
Për të është e papranueshme që t’u hiqen 110 apo 120 euro nga paga e cila u është rritur rishtas për 50 euro, pas shumë grevave e protestave.
Prandaj, ai apelon menaxhmentin që ta anulojë këtë tender dhe punëtorëve të mos u hiqet e drejta për të vendosur vetë për ushqyerjen e tyre.
Ushqyerja me imponim në menzë po kundërshtohet edhe nga punëtorët e Termocentralit “Kosova B”.
Muharrem Gashi, i cili punon si inxhiner në KEK tash e 43 vjet thotë se rastet e helmimit në KEK, të cilat kanë qenë të përditshme në të kaluarën, i bëjnë punëtorët ta kundërshtojnë këtë opsion të ushqyerjes.
Vendimi për ndalimin e shtesave për ushqim do të ndikojë në xhepin e secilit punëtorë, e sidomos në buxhetin e atyre që janë kryefamiljar.
Në qoftë se kërkesat e punëtorëve që të mos u preken shtesat për shujta ushqimore nuk merren parasysh nga menaxhmenti, ata paralajmërojnë greva e protesta.