Lëvizja FOL në kuadër të Javës Kundër Korrupsion ka ndarë të hënën “Çmimin për Guxim Qytetar”. Këtë çmim e ka fituar një sinjalizuese, Makirete Dibrani, e cila sinjalizoi skandalin e faljes së borxheve të ambalazhuesve të ujit.
Mexhide Demolli Nimani, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL tha se në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, është arsye e veçantë për t’u mbledhur dhe për të festuar guximin dhe integritetin.
Ajo u shpreh se këtë vit, ky çmim shkon për një sinjalizuese, Makirete Dibrani e cila sipas saj, tregoi guxim të jashtëzakonshëm duke ngritur zërin kundër abuzimeve serioze në institucionin e saj dhe raportoi keqpërdorimet serioze brenda këtij institucioni, të cilat sipas saj, lidhen me vendimet mbi faljen e borxheve të ambalazhuesve të ujit duke mbrojtur interesin publik dhe duke luftuar kundër keqpërdorimeve financiare.
Gjithashtu u shpreh se pavarësisht presioneve, ajo qëndroi e palëkundur, dhe sot, ne e nderojmë atë me mirënjohjen më të lartë.
“Guximi i znj. Dibrani na kujton se ndryshimi fillon me një akt të vetëm. Prandaj, të frymëzohemi nga veprimi i saj dhe të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri ku integriteti triumfon mbi çdo pengesë dhe drejtësia bëhet realitet për të gjithë”, tha Demolli-Nimani.
Çmimin këtë vit e ndau ish-presidentja, Atifete Jahjaga, e cila në fjalën e saj vlerësoi angazhimin dhe guximin e Dibranit si sinjalizuese dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në luftën kundër parregullsive dhe korrupsionit.
Ndërkaq, fituesja e Çmimit për Guxim Qytetar, Makfirete Dibrani tha se ky rrugëtim kërkoi shumë sakrifica.
“Sot qëndroj këtu sepse besova se e vërteta dhe drejtësia duhet të dilnin në pa, pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta. Kur u përballa me shpërdorimin e dhjetëra miliona euro nga ata që kishin për detyrë të mbronin interesin publik nuk mund të rrija në heshtje”, u shpreh ajo.