Pasi u eliminua nga Real Madridi në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, Manchester City i Pep Guardiolës është kthyer te fitoret duke e mposhtur Chelsean 1:0 në gjysmëfinale të Kupës FA, për të kaluar në finale të kësaj gare.
Chelsea e kishte mundësinë e vetme për trofe këtë sezon këtë garë, por që nuk arritën ta mposhtnin kampionin në fuqi, edhe pse këta të fundit luajtën pa lojtarin kryesor, Erling Haaland.
Manchester City e dominoi posedimin e topit si gjithmonë, por shanset më të mira për të shënuar i pati Chelsea, që nuk arritën të konkretizonin as edhe një rast.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 83-të nga Bernardo Silva, ku Jeremy Doku pasoi bukur në zonë te De Bruyne, me këtë të fundit që tentoi asistimin por topi u devijua nga portieri i Chelseat, ndërsa ylli portugez shënoi me lehtësi për 1:0.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat, me Manchester Cityn që triumfoi ndaj Chelseat, për t’ia shuar këtyre të fundit çdo shpresë për trofe.
Skuadra e Pep Guardiolës tashmë është në finale të Kupës FA, ku do ta presë fituesin nga ndeshja Coventry – Manchester United, ndërsa janë liderët e Premierligës, ku do të tentojnë deri në fund ta mbrojn titullin kampion.