Seanca gjyqësore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, u shoqërua me diskutime. Ajola Xoxa paraqiti një tjetër kërkesë përmes mbrojtjes së saj.
Avokati i Ajola Xoxës, Gurali Braimllari, deklaroi se gjendja shëndetësore e klientes së tij vijon të mos i lejojë pjesëmarrjen në seancë. Sipas tij, Xoxa kreu një tjetër konsultë mjekësore pas njoftimit për seancën, por gjendja e saj mbetet e pandryshuar.
“Ndonëse mendojmë se ai raport mjekësor që depozituam seancën e kaluar, si për çdo nënë në Shqipëri, ka efekt, dje ajo bëri një tjetër konsultë me mjekun pasi mori njoftimin për seancën e sotme, për të parë nëse ishte e mundur të merrte pjesë. Gjendja vijon të jetë e njëjtë dhe e bën të pamundur praninë dhe një mbrojtje efektive”, u shpreh Braimllari.
Nga ana tjetër, prokurori i SPAK, Ols Dado, kërkoi që mungesa e avokatëve dhe të pandehurve të mos pengojë procesin. Ai e cilësoi të pajustifikuar mungesën e avokatit të Erion Veliajt, Plarent Ndreca, duke kërkuar gjobitjen e tij, si dhe pezullimin e afateve të paraburgimit për Veliajn. Dado argumentoi gjithashtu se dokumentacioni mjekësor i paraqitur nga mbrojtja e Ajola Xoxës nuk përmban elemente që justifikojnë mungesën e saj në seancë.
Pas tërheqjes për vendim, gjykata vlerësoi se konsulta mjekësore e paraqitur nga mjeku Orion Glozheni nuk përbën shkak ligjor për mosparaqitjen e Ajola Xoxës. Po ashtu, gjykata vendosi të gjobisë me 50 mijë lekë avokatin Plarent Ndreca për mungesë të pajustifikuar.
Me arsyetimin për të shmangur vonesat e mëtejshme në proces, gjykata caktoi krahas avokatit të zgjedhur, Plarent Ndreca, që mbrojtjen e kryebashkiakut do ta ushtrojë edhe avokatja Valentina Teodoresku, e cila ishte caktuar edhe gjatë seancës paraprake.
Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 15 shtator.






