Gjykata Speciale në Hagë ka shtyrë afatin për shpalljen e vendimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mëson Nacionale nga burime të mirëinformuara.
Trupi gjykues ka urdhëruar shtyrjen e afatit për 60 ditë të tjera, duke e zhvendosur datën e pritshme të shpalljes së vendimit nga 19 maji në 20 korrik.
Madje, është lënë e hapur mundësia për një shtyrje tjetër të vendimit.
Në bazë të Rregullores së Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka në dispozicion një afat prej 90 ditësh për shpalljen e verdiktit, me mundësinë që ky afat të zgjatet edhe për 60 ditë shtesë.
Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke cituar profesorin amerikan Daniel Sewer, e cilësoi procesin në Hagë të “devijuar nga misioni”, në një intervistë me shkrim në emisionin “Opinion” me Blendi Fevziun. Ai tha se gjykata duhet të ofrojë drejtësi dhe jo “hakmarrje të bazuar në mashtrim”.
“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Serwer, ky proces ka devijuar nga misioni. Duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje e bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çfarë t’i shtoj këtij konstatimi.”
Kujtojmë se në një raport të fundit të Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut në Angli dhe Uells, janë ngritur pikëpyetje serioze për mënyrën se si janë zhvilluar proceset në Gjykatën Speciale të Hagës.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, duke prezantuar raportin e Komitetit, tha se vazhdimi i paraburgimit dhe refuzimi i mundësisë për lirim nga paraburgimi, janë elemente që kanë cenuar procesin.
“Raporti evidenton shqetësime serioze për kohëzgjatjen e paraburgimit, refuzimin e lirimit të parakohshëm, dhe kufizimet në komunikim me familjen. Fakti që deri më tash ka pasur shumë pak lirime të parakohshme, edhe pse kanë kaluar vite pa filluar procesi, bën të kuptohet që një pretendim i tillë nuk është vetëm shqetësim, por fakt konkret”, ka thënë Qelaj, raporton Nacionale.
Problem tjetër, ka qenë edhe mbikëqyrja e komunikimeve në qendrën e paraburgimit.
“Mbikëqyrja sistematike e komunikimeve që jam ballafaquar edhe unë, jam vëzhgu nga personeli i paraburgimit, jam xhiru nga dy kamera, raporti konstaton se mbikëqyrja sistematike, kjo kornizë ka dyshime serioze për cenim të Konventnës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Shqetësimet që kemi ngritur në vazhdimësi, jo vetëm që janë konfirmuar, por kalojnë edhe përtej atyre shqetësimeve”, ka thënë më tutje Qelaj.
Ekspertët e njohur britanikë kanë konstatuar se raporti ka ngritur shqetësime serioze për një gjykim të drejtë dhe të pavarur.
“Lidhur me juridiksionin, transparencën, raporti ngre shqetësime serioze mungesën e një institucioni mbikëqyrës, dhe kontrolli institucional. Sa i përket standardit të Gjykatës kompetente të pavarur, për gjykim të drejtë, raporti evidenton shqetësime serioze në emërimin e trupave gjykues. Raporti konstaton se kryetarja ka diskrecion për të emëruar panelet, konsultimet ndërinstitucionale të parapara me rregullën 12. Kërkesën për përjashtimin e kryetares së Gjykatës e trajton vetë kryetarja, që tregon se ka probleme serioze”, ka thënë Qelaj më tutje.






