Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur përgatitjet për ndeshjen me Serbinë, që do të zhvillohet të shtunën e 7 qershorit, në “Arenën Kombëtare”.
Kuqezinjtë nuk ishin të plotë në seancën e së hënës. Jasir Asani e Arlind Ajeti mungonin, ndërsa Myrto Uzuni zhvilloi ushtrime në palestër. Kristjan Asllani i cili mbërriti të hënën pas finales së Champions League ishte i pranishëm në stërvitje. Pritet që të martën grupi të jetë i plotë dhe Sylvinho të shikojë gjendjen e të gjithë të grumbulluarve pas një sezoni të gjatë e të lodhshëm me klubet e tyre.
Ndeshja me Serbinë vlen shumë, pasi është rivali direkt për vendin e dytë në grupin kualifikues të Botërorit 2026. Kjo do të jetë ndeshja e tretë në kualifikueset e Kupës së Botës 2026 ku deri më tani Shqipëria ka marrë 3 pikë.