Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një reagim të saj, ka vlerësuar se sundimi i ligjit është gurthemeli i qeverisjes demokratike, stabilitetit ekonomik dhe konfidencës së investitorëve.
Ky reagim i OEA-së, vie pas zhvillimeve të fundit, ku kryeministri Albin Kurti, dje shpërfilli urdhrin e gjykatës për t’u paraqitur për intervistim në Prokurori lidhur me skandalin e rezervave shtetërore.
”Një sistem i fortë dhe i pavarur gjyqësor, i lirë nga ndërhyrja politike, është jetësor për sigurimin e integritetit institucional dhe besimit publik. Zbatimi konsistent dhe i paanshëm i normave juridike jo vetëm që mbron demokracinë, por gjithashtu promovon një mjedis të parashikueshëm afarist, të nevojshëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike.
Respektimi i kornizës ligjore nuk është vetëm obligim kushtetues, por një parakusht themelor për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës në mënyrë eksplicite parasheh që hetimet dhe ndjekjet penale duhet të kryhen në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë para organeve kompetente gjyqësore. Ligji përcakton detyrën e institucioneve dhe zyrtarëve publikë për të bashkëpunuar në plotni në procedurat penale. Çfarëdo pengimi i drejtësisë, duke përfshirë ndërhyrjen në hetime apo mosrespektimin e obligimeve ligjore, përbën shkelje serioze të ligjit si dhe dobëson integritetin e institucioneve të Kosovës.
Gjithashtu, refuzimi i cilitdo individ – pavarësisht pozitës – për të zbatuar urdhrat e gjykatës dhe për të përmbushur procedurat ligjore minon besimin e publikut në qeverisje si dhe gërryen bazamentin demokratik të Kosovës. Kodi Penal, përforcon pasojat ligjore të pengimit të drejtësisë dhe keqpërdorimit të autoritetit zyrtar. Çfarëdo veprimi që pengon ose cenon proceset gjyqësore duhet të dënohet pa mëdyshje, meqë kërcënon parimet e llogaridhënies dhe transparencës.
Një angazhim i palëkundur ndaj sundimit të ligjit është gjithashtu tejet i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja.
Investitorët ndërkombëtarë kërkojnë siguri ligjore, stabilitet institucional dhe zbatim të drejtë të kontratave. Perceptimi i ndikimit politik mbi procedurat gjyqësore ose shpërfillja e procedurave ligjore mund të pengojë investimet dhe të kufizojë potencialin ekonomik të Kosovës. Për të nxitur një klimë konkurruese dhe mikpritëse për investitorët, institucionet duhet të garantojnë sigurinë ligjore dhe të demonstrojnë një zotim të qartë për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar transparencën.
Në ndërlidhje me hetimet e Prokurorisë Speciale rreth abuzimit të mundshëm të autoritetit në rastin e rezervave shtetërore, Oda Amerikane u bën thirrje të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë që të respektojnë plotësisht procesin ligjor dhe të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore. Lufta kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon angazhimin e palëkundur të të gjitha degëve të qeverisë, por edhe të sektorit privat dhe të shoqërisë civile”.
Tutje në reagimin e tyre thuhet se progresi i Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit është thelbësor për reputacionin e saj ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin demokratik, transmeton klankosova.tv.
Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë hisedarëve politikë që të respektojnë normat ligjore, të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që asnjë individ nuk është mbi ligjin