Shpallja e aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së shtyhet sërish, ky është arsyetimi i Gjykatës Speciale

- Advertisement -

Trupi Gjykues i Gjykatës Speciale në Hagë ka vendosur ta shtyjë edhe një herë shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke caktuar 16 shtatorin si datën kur do të bëhet publik vendimi.

Në vendimin e publikuar të mërkurën, Trupi Gjykues vlerëson se një shtyrje e mëtejshme është “absolutisht e nevojshme” për shkak të vëllimit të jashtëzakonshëm të provave dhe kompleksitetit të procedurës.

Sipas arsyetimit të gjykatës, gjatë procesit janë administruar dëshmitë e rreth 270 dëshmitarëve, janë pranuar 5.467 materiale provuese, ndërsa transkripti i procedurës përmban 29.238 faqe.

Gjykata thekson se çështja përfshin ngjarje që shtrihen në më shumë se një vit e gjysmë, mbulon një numër të madh vendesh ku pretendohet se janë kryer krime dhe përfshin shumë incidente individuale.

“Trupi Gjykues konsideron se një zgjatje e mëtejshme është domosdoshmërisht e nevojshme në kuptim të Rregullës 159(1).”

Në vendim thuhet se, për shkak të përmasës së dosjes dhe ndërlikueshmërisë së çështjes, gjykatës i duhet më shumë kohë për të bërë një vlerësim të plotë dhe të drejtë të të gjitha provave.

Trupi Gjykues nënvizon se procedura ka të bëjë me katër të akuzuar dhe se përgjegjësia penale e secilit duhet të vlerësohet individualisht.

“Procedurat kanë të bëjnë me akuza ndaj katër të akuzuarve, përgjegjësia e të cilëve duhet të shqyrtohet individualisht dhe me kujdes.”

Sipas gjykatës, vetëm një shqyrtim i detajuar i tërësisë së provave mund të garantojë një aktgjykim të arsyetuar dhe të drejtë.

Në vendim pranohet se të akuzuarit kanë të drejtë të gjykohen brenda një afati të arsyeshëm dhe se Trupi Gjykues është i vetëdijshëm për kohën që ata kanë kaluar në paraburgim.

Megjithatë, sipas gjykatës, një shtyrje shtesë prej pak më pak se 60 ditësh nuk do t’u shkaktojë atyre paragjykim të panevojshëm.

“Trupi Gjykues është i bindur se një zgjatje shtesë për një periudhë pak më të shkurtër se 60 ditë nuk do t’u shkaktojë paragjykim të panevojshëm të akuzuarve.”

Gjykata shton se kjo shtyrje është e domosdoshme për të siguruar një vlerësim gjithëpërfshirës të dosjes së provave dhe për hartimin e një vendimi të argumentuar me shkrim.

Në fund të vendimit, Trupi Gjykues bën të ditur se aktgjykimi i shkallës së parë do të shpallet publikisht më 16 shtator, në prani të të akuzuarve, përveç rasteve kur rrethana të jashtëzakonshme do ta arsyetonin mungesën e tyre.

“Aktgjykimi i Shkallës së Parë do të shpallet publikisht në emër të popullit të Kosovës dhe në prani të të akuzuarve, përveç rasteve kur rrethana të jashtëzakonshme e arsyetojnë mungesën e tyre.”

Gjykata thekson se caktimi i datës në këtë fazë u siguron njoftim të drejtë dhe në kohë të gjithë personave të interesuar. Vendimi mban nënshkrimin e kryetarit të Trupit Gjykues, Charles Smith.

Të ngjashme

Të fundit