Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës pa pjesëmarrjen e opozitës ka nxitur reagime të shumta të shoqërisë civile.
Ata që e përcjellin punën e legjislativit thanë se projektligjet të cilat u kaluan në dy lexime brenda një dite, nuk janë shqyrtuar e konsultuar mjaftueshëm. Për këtë, u theksua se mund të ketë pasoja më vonë.
Atë që nuk e bënë për gjatë gjithë vitit, e përshpejtuan brenda një dite.
Pa opozitën, shumica parlamentare, të enjten, si rrallëherë, kaloi në dy lexime, disa projektligje të rëndësishme për qytetarët, raporton RTK.
E kjo ligjvënie e përshpejtuar nxiti reagimin e shoqërisë civile, e cila tha se kalimi i projektligjeve, pa u shqyrtuar mirë, do të ketë pasoja në të ardhmen.
I gjithë ky sesioni i Kuvendit të Kosovës u përcoll me mungesë kuorumi, bojkote e akuza pozitë-opozitë.
Si rrjedhojë, marrëveshje ndërkombëtare e projektligje tjera rrezikojnë të kthehen në pikën zero.
Gjatë sesionit pranveror, Kuvendi kishte miratuar 36 projektligje, 12 nuk kishin arritur të miratoheshin derisa 30 pika nuk ishin trajtuar fare.