Shoqata e Qumështorëve kërkon nga Qeveria mbrojtje financiare për fermerët: Pagesat për qumështin po vonohen

- Advertisement -

Shoqata e Qumështorëve të Kosovës (SHQK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë masa për mbrojtjen financiare të fermerëve të qumështit, duke kërkuar zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe plotësimin e bazës ligjore për garantimin e pagesave me kohë.

Në një postim, SHQK ka thënë se viti 2026 i ka përballur fermerët me teprica të qumështit, ulje të çmimeve, refuzim të grumbullimit dhe vështirësi në arkëtimin e pagesave për produktin e dorëzuar.

Sipas Shoqatës, edhe pas zgjidhjes së problemeve me tepricat dhe grumbullimin, borxhet për qumështin e dorëzuar vazhdojnë të mbeten një barrë për fermerët.

“Qumështi dorëzohet çdo ditë. Pagesat vonohen. Kush i mbron fermerët?”, thuhet në reagimin e SHQK-së.

Aty theksohet se vonesat në pagesa rrezikojnë vazhdimësinë e fermave, punësimin dhe furnizimin me qumësht vendor, pasi shpenzimet për ushqimin e kafshëve, pagat dhe këstet e kredive nuk mund të presin.

“Ushqimi i kafshëve, pagat dhe këstet e kredive nuk presin. Mungesa e pagesave rrezikon vazhdimësinë e fermave, punësimin dhe furnizimin me qumësht vendor”, thuhet në postim.

Shoqata ka përmendur edhe raste nga disa vende evropiane, përfshirë Estoninë, Letoninë dhe Bullgarinë, ku fermerët dhe prodhuesit e qumështit janë përballur me borxhe të papaguara dhe falimentime të qumështoreve.

Duke u bazuar në këto përvoja, SHQK ka kërkuar që kontratat dhe afatet e pagesës të shoqërohen me garanci financiare dhe zbatim efektiv të ligjeve.

Në këtë drejtim, Shoqata i ka paraqitur Qeverisë dy kërkesa kryesore: zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe plotësimin e bazës ligjore për mbrojtjen e fermerëve.

Sa i përket zbatimit të ligjeve, SHQK kërkon zbatimin efektiv të Ligjit për kamatëvonesat në transaksionet tregtare, rritjen e efikasitetit të procedurave përmbarimore për arkëtimin e borxheve, si dhe vlerësimin e mbrojtjes së fermerëve dhe pikave grumbulluese në rastet e falimentimit të qumështoreve.

Ndërkaq, për plotësimin e bazës ligjore, Shoqata propozon përcaktimin e një afati maksimal prej 30 ditësh për pagesën e qumështit të freskët, vendosjen e kontratave të detyrueshme me shkrim dhe krijimin e mekanizmave të garancisë financiare.

Po ashtu, kërkohet shqyrtimi i krijimit të një fondi garantues ose mekanizmi sigurimi për pagesat e fermerëve në rastet kur qumështoret nuk janë në gjendje të paguajnë borxhet, si dhe dhënia e përparësisë kërkesave të fermerëve në procedurat e falimentimit.

SHQK ka kërkuar gjithashtu krijimin e një grupi ndërinstitucional, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit, për të vlerësuar zbatimin e ligjeve ekzistuese dhe për të përgatitur ndryshimet e nevojshme ligjore.

Në fund, Shoqata ka theksuar se barra e borxheve të industrisë nuk duhet të bartet nga fermerët.

“Fermerët nuk duhet të mbajnë barrën financiare të borxheve të industrisë. Nga vështirësitë në arkëtimin e borxheve duhet të kalojmë te parandalimi i krijimit të tyre!”, thuhet në reagim.

“MBROJTJA FINANCIARE E FERMERËVE ËSHTË KUSHT PËR ZHVILLIMIN E PRODHIMIT VENDOR!”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit