Shoqata e Qumështoreve kërkon hetim për produktet e tërhequra nga tregu: Të gjurmohet çdo kilogram

- Advertisement -

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës (SHQK) ka kërkuar transparencë dhe hetim të plotë lidhur me produktet që janë urdhëruar të tërhiqen nga tregu pas vendimit të Ministrisë së Bujqësisë për ndalimin e prodhimit të produkteve me vaj palme.

Përmes një postimi, SHQK ka ngritur një sërë pyetjesh lidhur me zbatimin e masave dhe destinacionin përfundimtar të produkteve të tërhequra.

Shoqata kërkon të bëhet e ditur se sa produkte janë larguar nga tregu, cila ka qenë sasia totale e tyre, ku janë dërguar dhe nëse janë asgjësuar apo janë kthyer te prodhuesit.

“Duhet të dihet qartë: sa produkte janë tërhequr, sa ka qenë sasia totale e tyre dhe cili ka qenë destinacioni përfundimtar”, thuhet në reagimin e SHQK-së.

Shoqata kërkon gjithashtu që të ekzistojë dokumentacion për çdo sasi të produktit të tërhequr dhe të verifikohet nëse ndonjë prej produkteve të ndaluara është rikthyer në treg.

SHQK ka ngritur shqetësime edhe për vazhdimin e shitjes së produkteve që, sipas saj, duhej të ishin tërhequr nga tregu, duke përmendur minimarketet, furrat, restorantet dhe bizneset e tjera të gastronomisë.

Në këtë kuadër, shoqata kërkon që të gjurmohet i gjithë zinxhiri i furnizimit, nga prodhuesi dhe distributori deri te pika e shitjes dhe konsumatori.

Kërkohet përfshirja e institucioneve hetuese

Shoqata thotë se, nëse ekzistojnë dyshime për sabotim të zbatimit të vendimeve, ndikim të paligjshëm, korrupsion apo shantazh, ato duhet të hetohen dhe të mos mbeten vetëm në nivel dyshimesh.

“Një hetim i pavarur dhe i paanshëm duhet të përcaktojë nëse ka pasur shkelje, kush ka dështuar në zbatimin e vendimeve dhe nëse ndonjë produkt i ndaluar është rikthyer në treg”, thuhet në reagim.

SHQK kërkon që në këtë proces të përfshihet edhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e cila, sipas shoqatës, duhet të verifikojë dokumentacionin fiskal, faturat dhe qarkullimin e operatorëve ekonomikë.

Sipas SHQK-së, këto të dhëna do të mund të ndihmonin në përcaktimin nëse produktet që duhej të tërhiqeshin kanë vazhduar të shiten dhe nëse ka pasur shkelje të detyrimeve ligjore e fiskale.

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës e cilëson këtë çështje si të lidhur jo vetëm me një institucion, por edhe me zbatimin e ligjit, sigurinë e konsumatorëve, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e fermerëve.

Në fund të reagimit, SHQK kërkon që të gjurmohet çdo produkt i tërhequr nga tregu, të hetohet çdo dyshim për rikthimin e produkteve të ndaluara dhe që vendimet institucionale të zbatohen në praktikë.

“Nga terri në dritë – të dalë e vërteta! Hetim. Transparencë. Përgjegjësi”, përfundon reagimi i Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës.

Të ngjashme

Të fundit