Shoferi i Qeverisë në Maqedoninë e Veriut dërgohet në paraburgim, dyshohet se kërkoi 1 500 euro për një punësim

- Advertisement -

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka hapur procedurë hetimore ndaj një të punësuari në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, i dyshuar për veprën penale “Pranimi i shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari, i cili ka punuar si shofer i një funksionari të lartë qeveritar, në periudhën nga 24 korriku deri më 4 shtator të këtij viti, i ka kërkuar 1.500 euro një qytetari, me qëllim që të shfrytëzonte ndikimin e tij të pretenduar dhe të ndërmjetësonte te zyrtarë në Qytetin e Shkupit, lidhur me punësimin përmes konkursit për pranimin e zjarrfikësve.

Rasti është denoncuar nga qytetari i dëmtuar, pas së cilës Njësia për Luftimin e Korrupsionit pranë Byrosë për Siguri Publike, në koordinim me prokurorin publik kompetent, ka ndërmarrë aktivitete për sigurimin e provave.

“Pas denoncimit, organet kompetente, në koordinim me prokurorin e çështjes, ndërmorën veprime për sigurimin e provave. Më 4 shtator 2026, i dyshuari u kap në flagrancë gjatë dorëzimit të 500 eurove, si pjesë e shumës së kërkuar prej 1.500 eurosh, të cilat paraprakisht ishin shënuar”, njoftoi Prokuroria.

Për shkak të rrezikut të arratisjes, mundësisë për të ndikuar te dëshmitarët dhe rrezikut të përsëritjes së veprës, prokurori publik kërkoi caktimin e masës së paraburgimit. Gjykatësi i procedurës paraprake e pranoi kërkesën dhe të dyshuarit i caktoi 30 ditë paraburgim.

MPB-ja më herët gjatë ditës njoftoi se, pas një denoncimi nga një qytetar, D.C., i punësuar si shofer në Shërbimin për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë së RMV-së, ishte kapur duke pranuar para të shënuara paraprakisht, pas së cilës ishte privuar nga liria.

Nga Prokuroria theksojnë se denoncimi në kohë i korrupsionit dhe gatishmëria e qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

Prokuroria u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë raste të kërkesës ose ofrimit të ryshfetit dhe ndikimit të kundërligjshëm, duke theksuar se kjo mundëson reagim në kohë, sigurimin e provave dhe veprim efikas të institucioneve kompetente, përcjell TV21.

Të ngjashme

Të fundit