Zyrtarët e Kryqit të Kuq kanë paralajmëruar se Mianmari po përballet me një krizë humanitare pas tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.7, raporton The Guardian.
“Ajo që po shohim këtu në Mianmar është një nivel shkatërrimi që nuk është parë prej më shumë se një shekulli në Azi” shkroi Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) në një postim në X.
Kjo nuk është thjesht një katastrofë; është një krizë humanitare komplekse e mbivendosur mbi cenueshmëri ekzistuese”, tha Alexander Matheou, drejtor rajonal për Azinë-Paqësorin në IFRC, në një deklaratë.
“Madhësia e kësaj katastrofe është e konsiderueshme dhe nevoja për mbështetje është urgjente”, shtoi ai. IFRC ka nisur një apel emergjence për 100 milionë franga zvicerane për të ndihmuar 100,000 persona me ndihmë jetike dhe mbështetje për rimëkëmbjen.
Shoqata e Kryqit të Kuq të Mianmarit (MRCS) ka mobilizuar qindra vullnetarë të trajnuar për të ofruar ndihmë të parë, kujdes shëndetësor dhe shpërndarje të artikujve si batanije dhe kite higjienike.
Por OKB-ja thotë se operacionet e ndihmës po pengohen nga rrugët e dëmtuara dhe se spitalet në Mianmarin qendror dhe veriperëndimor, në veçanti, po hasin vështirësi për ta përballuar fluksin e të lënduarve nga tërmeti.
Në disa nga zonat më të goditura të vendit, banorët kanë thënë se ndihma nga qeveria ka qenë e pakët deri më tani, duke i lënë njerëzit të përballen vetë me situatën.
Hunta ushtarake e Mianmarit ka bërë një thirrje të rrallë për ndihmë ndërkombëtare. Kina dhe India janë mes vendeve që tashmë kanë ofruar furnizime.