Shiroka-Pula takon mërgatën në Hungari, vlerëson kontributin e saj në historinë e Kosovës

- Advertisement -

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, gjatë qëndrimit në Hungari, ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet, në një pritje të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Budapest.

Gjatë takimit, ajo vlerësoi kontributin e mërgatës në historinë e Kosovës, duke veçuar rolin e saj në rezistencën paqësore, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.

Shiroka-Pula çmoi gjithashtu përkushtimin e komunitetit kosovar në Hungari, i cili përmes punës, sipërmarrjes dhe suksesit të tij kontribuon në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidentja vlerësoi edhe praninë e rreth 300 studentëve nga Kosova në institucionet e arsimit të lartë në Hungari, duke shprehur shpresën që ata ta vënë dijen dhe përvojën e fituar në shërbim të zhvillimit të vendit.

Ajo u bëri thirrje bizneseve të mërgatës që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe partneritete afatgjata në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përvojës, dijes dhe energjisë së bashkatdhetarëve për të ardhmen e vendit.

Në përfundim, Shiroka-Pula i falënderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm për Kosovën, duke theksuar se dyert e atdheut mbeten të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e tij.

Të ngjashme

Të fundit