Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, priti në takim guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga zëvendësguvernatorja Nesrin Shileku Shala, të cilët e uruan për marrjen e detyrës dhe i dëshiruan sukses në ushtrimin e mandatit.
Presidentja Shiroka Pula u njoftua nga guvernatori Ismaili për zhvillimet në sektorin financiar, qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe prioritetet reformuese të BQK-së. Vëmendje e veçantë iu kushtua procesit të përfshirjes së Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), rëndësisë së mbështetjes institucionale dhe angazhimit diplomatik me partnerët evropianë, si dhe mundësive për përfshirjen në sistemin ndërkombëtar të Kartonit të Gjelbër.
Në takim u diskutuan edhe modernizimi i sistemeve të pagesave, përfshirë sistemin e pagesave të shpejta TIPS-K, përafrimi me standardet e Bashkimit Evropian dhe zgjerimi i qasjes në financa, me fokus te mundësitë e financimit për gratë ndërmarrëse.
Presidentja Shiroka Pula vlerësoi angazhimin dhe agjendën reformuese të BQK-së, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, në respektim të mandateve dhe pavarësisë kushtetuese të Bankës Qendrore.






