11.2 C
New York
Wednesday, February 28, 2024

Buy now

Shfuqizimi i dinarit, Mazreku: Është stërzmadhu nga Serbia për qëllime politike

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt.

Por që ky vendim i BQK-së nga serbët në Kosovë është parë si vendim që do t’iu pamundësojë atyre të përdorin dinarin.

Derisa edhe Bashkimi Evropian i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh që vetëm valuta euro të përdoret në operacionet me para të gatshme.

E lidhur me këtë çështje profesori i ekonomisë, Ibish Mazreku tha se kjo çështje është stërzmadhuar nga shteti serb për qëllime politike.

Kjo pasi sipas tij, serbët sot pavarësisht kësaj kanë mundësi që t’i marrin pagat edhe në dinar.

“Nga prizmi im e shoh që është stërzmadhu pak nga Serbia, normal për qëllime politike. Po kjo e shoh që nuk është aq dramatike, sepse serbët sot kanë mundësi që edhe pagat t’i marrin edhe në dinar. Sepse secili serb është i lirë që sot të shkojë në një bankë komerciale të hapë llogarinë e tij që të pranojë çfarëdo lloj pagese dhe paga edhe në dinar, kjo është legale. Dihet që euro është valutë zyrtare në Republikën e Kosovës me Kushtetutë dhe me Ligjin mbi Bankat qendrore, mirëpo i mundëson çdo qytetari të Kosovës që të ketë edhe llogari në valuta tjera si në dinar, lek dollarë apo franga zvicerane e kështu me radhë”, tha Mazreku në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Madje sipas Mazrekut pushteti serb çështjen e ndalesës së dinarit e ka dramatizuar, derisa ndërkombëtarët sipas tij, e kanë obligim dhe përgjegjësi të mirren me këtë çështje.

“Pushteti serb e ka dramatizu te ndërkombëtarët këtë çështje dhe normal që ata kanë obligim dhe përgjegjësi që të mirren me këtë lloj problematike. Mirëpo nëse ndërkombëtarëve i shpjegohet mirë se cili është qëllimi i kësaj rregullore, atëherë intensiteti i kësaj problematike del se nuk është aq problematike”, shtoi ai.

E kërkesë për shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së për operacionet me para të gatshme më herët kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara, por edhe shtetet e tjera të QUINT-it – Italia, Gjermania, Franca dhe Britania.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ditë më parë duke komentuar deklaratat e ndërkombëtarëve për këtë gjë, i është referuar nenit të 11 të Kushtetutës së Kosovës, cili njeh vetëm euron si valutë zyrtare në Kosovë.

Deri më tani, dinarët në Kosovë qarkullojnë përmes kompanisë publike serbe “Posta e Serbisë” e cila vepron në vendbanimet e banuara me serb në Kosovë./teve1.info./

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit