Menjëherë pasi goditi tërmeti, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) vlerësoi dëmet e mundshme ekonomike dhe numrin e viktimave në rajon.
Sipas vlerësimit të tij, humbja më e mundshme e jetëve njerëzore është midis 10,000 dhe 100,000 personave, shkruan BBC.
Kjo nuk është një shifër e saktë e numrit të njerëzve që mund të kenë vdekur – numri real mund të jetë më i lartë ose më i ulët.
USGS publikon këtë vlerësim për të ndihmuar ekipet e emergjencës, agjencitë qeveritare dhe mediat të kuptojnë sa i rëndë mund të jetë kjo ngjarje dhe të shpërndajnë burimet në mënyrë sa më efektive.
Për të llogaritur këtë vlerësim, organizata përdor një sistem të quajtur PAGER.
Sistemi PAGER (Vlerësimi i Shpejtë i Tërmeteve Globale për Reagim Emergjent), i përdorur nga Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara kombinon disa lloje informacioni:
Magnitudën e tërmetit – sa i fuqishëm ishte.
Thellësinë e tij – tërmetet më të cekëta zakonisht shkaktojnë më shumë dëme në sipërfaqe.
Vendndodhjen e epiqendrës – nëse është pranë zonave të banuara.
Dendësinë e popullsisë – sa njerëz jetojnë në zonat e prekura.
Llojin dhe cilësinë e ndërtesave – disa ndërtesa janë më rezistente ndaj tërmeteve se të tjerat.
Të dhënat historike nga tërmete të ngjashme në të kaluarën.





