Në 27-vjetorin e rënies së dëshmorëve Bejtë dhe Hajzer Rexhepi, Fazli Qerkini, Mehdi Hoxha, Agron Berisha dhe Naim Tiku, Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me bashkëpunëtorët dhe familjarët e dëshmorëve, bëri homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, ku u vendosën buqeta me lule të freskëta.
Me këtë rast, kryetari Lladrovci vlerësoi lart sakrificën e dëshmorëve, duke theksuar se kujtimi për ta dhe për datat e rënies së tyre mbetet ndër faqet më të ndritshme të historisë sonë kombëtare dhe të përpjekjes së popullit tonë për liri e çlirim.
Ai theksoi se me nderim e respekt të thellë përkulemi para veprës dhe idealit të dëshmorëve, ndërsa në kujtimin e tyre gjejmë frymëzim të përhershëm dhe motiv për punë të mira në shërbim të shtetit dhe të qytetarëve.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për liri!






