Uashingtoni ka rikonfirmuar mbështetjen për bisedimet e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë pasi Baku u tërhoq nga një takim i ardhshëm i organizuar nga Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar për deklarata “të njëanshme” të një zyrtari të Departamentit të Shtetit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha gjatë një konference për shtyp më 16 nëntor, se Uashingtoni vazhdon “të mbështesë bisedimet e paqes për të zgjidhur çështjet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.”

“Ne do të inkurajonim të dy palët që të angazhohen në ato bisedime, pavarësisht nëse janë këtu apo diku tjetër, kjo do të vazhdojë të jetë politika jonë,” shtoi ai.

Komentet erdhën pasi Baku tha më 16 nëntor se nuk do të merrte pjesë në bisedimet e normalizimit me Jerevanin që ishin planifikuar në Shtetet e Bashkuara këtë muaj.

“Ne nuk e konsiderojmë të mundur mbajtjen e takimit të propozuar në nivel të ministrave të jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë në Uashington më 20 nëntor 2023”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit.

Sipas ministrisë, vendimi ishte në përgjigje të asaj që e quajti “i njëanshëm dhe vërejtje të njëanshme” të bëra nga ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien lidhur me ofensivën e rrufeshme të Azerbajxhanit në shtator e cila rezultoi me fitimin e kontrollit nga Baku të territorit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakut.

O’Brian tha gjatë një takimi të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së më 15 nëntor se “asgjë nuk do të jetë normale me Azerbajxhanin pas ngjarjeve të 19 shtatorit derisa të shohim përparim në rrugën e paqes.”

“Ne kemi anuluar një numër vizitash të nivelit të lartë, kemi dënuar veprimet [e Bakut]”, shtoi ai.

Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit tha se komentet “ishin një goditje për marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe midis Azerbajxhanit dhe Shteteve të Bashkuara.”

Ofensiva e shtatorit i dha fund sundimit tre dekadash nga armenët etnikë në Nagorno-Karabak, i cili njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit