18.5 C
New York
Monday, May 20, 2024

Buy now

ShBA, pranë vendimit rreth marrëveshjes për sigurinë me Arabinë Saudite

- Advertisement -

 

Tani për tani, zyrtarët e administratës thonë se nuk mund të hidhet asnjë hap derisa të jenë sqaruar të gjithë elementët e marrëveshjes, por me luftën ndërmjet Izraelit dhe Hamasit që qëndron si pengesë për arritjen e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, disa analistë thonë se një marrëveshje e dypalëshe, ShBA-Arabi Saudite do të ndihmonte në kufizimin e ndikimit të Kinës në rajon.

Përmbajtja e marrëveshjes amerikano-saudite nuk është bërë publike, por para disa javësh agjencia e lajmeve Reuters citoi diplomatë ndërkombëtarë në shtetet e Gjirit dhe burime në Uashington të kenë thënë se ajo ofron garanci zyrtare nga Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e mbretërisë, si dhe i jep Arabisë Saudite qasje tek armatimi më i avancuar amerikan. Raportet të tjera thonë se marrëveshja mund të përfshijë mbështetje për programin e energjisë bërthamore të Arabisë Saudite.

Në këmbim, Arabia Saudite do të ndërpresë blerjen e armëve kineze dhe do të kufizojë investimet e Pekinit në këtë vend, sipas agjencisë Reuters.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Matthew Miller konfirmoi më 3 maj se dy shtetet janë “shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për çështjet dypalëshe. Janë disa detaje për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë, por mendojmë se mund të arrijmë pajtim rreth detajeve shumë shpejt”, tha zëdhënësi.

Por, sipas tij, “ka ende shumë punë për t’u bërë në një pjesë tjetër të saj, që përmban planin për krijimin e shtetit palestinez… Arabia Saudite e ka bërë të qartë se si pjesë e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin, ajo ka dy kushte: përfundimin e luftës në Gazë dhe planin për krijimin e një shteti të pavarur palestinez”, tha zëdhënësi.

I pyetur nëse administrata e Presidentit Biden po mendon që të hedhë hapa drejt nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe SHBA-Arabi Saudite, pa planin e shtetit palestinez, zëdhënësi Miller tha se kjo çështje nuk është diskutuar. “E kemi bërë shumë të qartë, Arabia Saudite e ka bërë të qartë, se bëhet fjalë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që do të përfshinte marrëdhëniet dypalëshe dhe gjithashtu një plan për zgjidhjen me dy shtete.”

Në një shkrim të botuar me 8 maj në revistën “Foreign Affairs”, një studiues i lartë i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme theksoi se një marrëveshje trepalëshe nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara ngaqë do t’i bënte marrëdhëniet amerikano-saudite të varura nga marrëdhëniet ndërmjet Izraelit dhe Arabisë Saudite në të ardhmen.

“Nëse angazhimi amerikan ndaj Arabisë Saudite varet nga normalizimi mes Arabisë Saudite dher Izraelit, atëherë ka gjasa që cilësia e këtyre marrëdhënieve – pra marrëdhëniet izraelito-saudite – të kushtëzojnë marrëdhëniet dypalëshe mes Uashingtonit dhe Riadit në shumë forma,” shkroi eksperti i Lindjes së Mesme, Steven A. Cook.

“Nëse administrata e Presidentit Biden dëshiron ta mbrojë marrëveshjen me Arabinë Saudite, atëherë le ta arrijë atë. Ka mjaft argumente në favor të saj dhe presidenti është një politikan mjaft i aftë për të bindur skeptikët,” shtoi ai.

Edhe drejtuesi i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme pranë Universitetit të Oklahomës, Joshua Landis shpreh të njëjtin qëndrim në një intervistë me Zërin e Amerikës, duke nënvizuar disa përparësi që mund t’i ketë një marrëveshjeje me përmbajtje më të kufizuar.

“Për Shtetet e Bashkuara, marrëveshja kufizon investimet e Kinës në Arabinë Saudite dhe siguron që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të kenë rolin kryesore në fushën e sigurisë,” tha ai. “Për Arabinë Saudite, marrëveshja i jep asaj qasje tek armatimi më i avancuar amerikan me kusht që të mos blejë armë kineze dhe të kufizojë investimet e Pekinit në vend.”

Por sipas analistes së lartë pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Doha, Anna Jacobs, një marrëveshje dypalëshe, ndonëse i përshtatet Arabisë Saudite, do të ishte e papranueshme për administratën e Presidentit Biden, që ka kohë që po punon për një fazë të re në marrëdhëniet izraelito-palestineze, që mund të sigurohet përmes një marrëveshjeje normalizimi.

“Ka kuptim për Riadin që të mundohet dhe të sigurojë një marrëveshje dypalëshe me Shtetet e Bashkuara dhe të lërë jashtë saj pjesën për Izraelin. Normalizimi me Izraelin është jashtëzakonisht jo-popullor në Arabinë Saudite dhe në mbarë rajonin dhe paraqet rrezik të madh politik për Riadin, sidomos tani që lufta në Gazë po vazhdon,” i tha ajo Zërit të Amerikës.

“Ky plan B do të zbuste shumë rreziqet për Arabinë Saudite dhe do t’i jepte asaj gjithçka që do nga Shtetet e Bashkuara pa patur nevojë të ofrojë diçka me peshë në këmbim. Por plani B nuk funksionon për Shtetet e Bashkuara dhe nuk mendoj se ka gjasa të arrihet,” shtoi ajo.

Presidentja dhe drejtuesja e Qendrës për Politikat Ndërkombëtare me seli në Uashington shprehet kundër një marrëveshjeje ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite me apo pa pjesën që përfshin marrëdhëniet mes saj dhe Izraelit.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se marrëveshja e mbrojtjes kryesisht u shërben interesave të Princit saudit të Kurorës Mohammed bin Salman, i cili është përshëndetur për përpjekjet për të modernizuar mbretërinë, por “që po ashtu përballet me kritika për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, që vazhdon të qeverisë si autokrat dhe që shtyp zërat kritikë, siç ishte vrasja e gazetarit të ‘Washington Post-it’, Jamal Khashoggi.”

Ajo thotë se marrëveshje të tilla, si kjo që po negociohet tani, “bëhen nën premisën e gabuar se shtimi i armatimit çon drejt një sigurie më të madhe, por historia ka dëshmuar se një prirje e tillë nxit më tej konflikte dhe një garë armatimi.”/VOA/

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit