ShBA pezullon armatimin për Evropën, nuk preket Kosova

- Advertisement -

Janë sisteme të sofistikuara të armatimit që ka në posedim Forca e Sigurisë së Kosovës.

Një pjesë e tyre janë të blera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e disa porosi të tjera janë ende në proces.

Megjithatë, për shkak të luftës me Iranin, ShBA-të kanë vendosur që t’i pezullojnë armatimet e dedikuara për shtetet e Evropës.

Mirëpo, ministria e mbrojtjes ka konfirmuar për TËVË1 se ky vendim nuk e ka prekur Kosovën.

“Ju njoftojmë që nuk është afektuar Kosova”, ka thënë Ministria e Mbrojtjes

Ish-ushtaraku, Hysen Gecaj vlerëson se në situata të tilla globale, vendime të tilla janë të pritura.

“Duke pasë parasysh situatën e krijuar me luftën në Iran diçka e tillë është e mundshme dhe mund të kemi vonesa të tilla, këto vonesa ndikojnë negativisht në aspektin e sigurisë për Kosovën dhe unë besoj që pa marrë parasysh se është vetëm informacion përmes mediave, shteti ynë do duhej të kujdesej dhe të ndërmarrë masa që mos të vijë deri te diçka e tillë”, u shpreh Gecaj.

E sipas njohësit të gjeopolitikës, Korab Blakaj, Kosova duhet marrë mësim nga situata të tilla.

”Sepse ne e kemi konceptuar mbrojtjen tonë më tepër në mbrojtje të aleancave dhe furnizimeve në rast nevoje nga shtetet tjera, por ja ku paraqitet rasti konkret ku SHBA ka nevojë vetë për armë dhe atëherë furnizimet ndalen për të tjerat. Njëjtë mund nëse Turqia futet në luftë, apo Gjermania apo shtetet tjera, të njëjtat gjëra do të ndodhin. Për këtë arsye pushtetet normale në kohë paqeje investojnë dhe përgatisin ushtrinë dhe nuk e lënë atë të përgatitet në ditën e fundit”, theksoj Blakaj.

Tëvë1 ka dërguar pyetje edhe në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, mirëpo deri në publikimin e kronikës nuk ka pranuar përgjigje.

Të ngjashme

Të fundit