Tregu i vendeve të punës në ShBA e mposhti përsëri frikën për tkurrje në janar, duke shtuar 353 mijë vende pune gjatë muajit të parë të vitit, njoftoi të premten Departamenti i Punës.
Tregu amerikan i punës ka mbetur i fortë pavarësisht nga një varg agresiv i rritjeve të shkallës së interesit nga Rezerva Federale, me qëllim të qetësimit të ekonomisë dhe uljes së shkallës së inflacionit. Në janar, papunësia ishte vetëm 3,7 për qind, afër nivelit më të ulët në pesë dekada, raporton gazeta “The Guardian”.
Ekonomistët kishin parashikuar se gjatë janarit do të hapeshin më pak se 200 mijë vende pune për një muaj. Departamenti i Punës i ndryshoi shifrat për vendet e punës edhe për muajin dhjetor, nga vlerësimi fillestar prej 216 vendesh në 333 mijë vende pune.
Ky lajm do të jetë shtytje për presidentin Joe Biden, kënaqshmëria me punën e të cilit në fushën e ekonomisë ka mbetur e ulët pavarësisht nga tregu i fuqishëm i punës. Punësimet e reja patën themel të gjerë, përfshirë kujdesin shëndetësor, qeverinë, shërbimet profesionale e biznesore dhe shitjen me pakicë.
Megjithatë, rishtazi ka pasur shenja që tregu i fuqishëm i punës është duke u dobësuar. Të mërkurën, ADP-ja, kompani që merret me burime njerëzore, tha se punëdhënësit privatë kishin shtuar 107 mijë vende të reja pune në janar, më pak se sa prisnin analistët dhe dukshëm më pak se 158 mijë vendet e punës në dhjetor.
Disa punëdhënës të mëdhenj gjithashtu kanë njoftuar largime nga puna rishtazi, përfshirë “Citigroup”, “Deutsche Bank”, “PayPal” dhe UPS.
Vitin e kaluar, në Shtetet e Bashkuara u hapën 2,7 milionë vende pune, edhe pse Rezerva Federale e ngriti shkallën e interesit në nivelin më të lartë në 22 vitet e fundit.