Kompania private ushtarake ruse, Wagner ka marrë një dërgesë me armë nga Koreja e Veriut për të furnizuar forcat ruse në Ukrainë, një shenjë e rolit në zgjerim të këtij grupi në luftën kundër Kievit, tha Shtëpia e Bardhë të enjten.
“Grupi Wagner po kërkon në mbarë botën furnizues armësh për të mbështetur operacionet e tij ushtarake në Ukrainë”, u tha gazetarëve John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Sigurisë Kombëtare.
“Ne mund të konfirmojmë se Koreja e Veriut ka përmbushur një dërgesë fillestare të armëve për grupin Wagner. Pagesa për armët u bë nga grupi Wagner. Muajin e kaluar, Koreja e Veriut dërgoi raketa në Rusi për përdorim nga grupi Wagner”, tha zoti Kirby.
Lajmi fillimisht u publikua nga agjencia e lajmeve Reuters. Grupi Wagner u themelua në vitin 2014 pasi Rusia pushtoi dhe aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështeti një kryengritje separatiste në rajonin lindor të Ukrainës, Donbas.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se grupi Wagner ka një personel prej 50,000 personash në Ukrainë, duke përfshirë 10,000 kontraktorë dhe 40,000 të dënuar, të rekrutuar nga burgjet ruse, tha zoti Kirby.
Sipas vlerësimeve të Shteteve të Bashkuara, sasia e armëve të dërguara nga Koreja e Veriut nuk do të ndryshojë dinamikën e fushëbetejës në Ukrainë, por se Pheniani pritet të dërgojë më shumë pajisje ushtarake për forcat ruse në Ukrainë.
Në nëntor, pasi Shtëpia e Bardhë tha se Pheniani po furnizonte në mënyrë të fshehtë Rusinë me një numër “të konsiderueshëm” predhash artilerie, Koreja e Veriut tha se nuk kishte bërë kurrë marrëveshje armësh me Rusinë dhe nuk ka plane ta bëjë këtë.
Misionet diplomatike ruse dhe koreano-veriore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment mbi këtë çështje.
Shtetet e Bashkuara akuzuan Phenianin dhe Moskën për shkelje të sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut dhe do të ndajnë informacionin e tyre me komitetin e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Korenë e Veriut, tha në një deklaratë ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield.
Pheniani ka prodhuar raketa balistike të afta të godasin pothuajse çdo cep të botës, thonë ekspertët e armëve, si dhe armë të tjera me rreze më të shkurtër veprimi.
Zoti Kirby tha se presidenti rus Vladimir Putin i është drejtuar gjithnjë e më shumë Grupit Wagner, në pronësi të aleatit të Putinit, Yevgeny Prigozhin, për ndihmë në Ukrainë, ku forcat ruse kanë ngecur në përpjekjen e tyre për të rrëzuar qeverinë e Kievit.
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Grupit Wagner, duke e akuzuar atë për operacione klandestine në emër të Kremlinit.
Zoti Putin ka thënë se grupi nuk përfaqëson shtetin rus, por se kontraktorët privatë ushtarakë kanë të drejtë të punojnë kudo në botë për sa kohë që nuk shkelin ligjin rus.
SANKSIONET NDAJ GRUPIT WAGNER
Administrata e Presidentit Biden njoftoi të mërkurën se ka vendosur kufizime të reja mbi eksportet e teknologjisë së lartë për Grupin Wagner në një përpjekje për të pakësuar më tej furnizimet e tij.
Në javët në vazhdim ndaj kompanisë Wagner do të vendosen sanksione nga më shumë vende të tjera të botës, tha zoti Kirby.
Biznesmeni rus Prigozhin po shpenzon më shumë se 100 milionë dollarë në muaj për të financuar operacionet e grupit Wagner në Ukrainë, por ka hasur në probleme me rekrutimin e rusëve për të luftuar atje, tha zëdhënësi Kirby.
Grupi Wagner, i përbërë nga veteranë të forcave të armatosura ruse, ka luftuar edhe në vende të tjera të botës si në Libi, Siri, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Mali.
Shërbimet amerikane të zbulimit thonë se grupi Wagner ka luajtur një rol të madh në betejën për qytetin ukrainas të Bakhmutit, ku rreth 1,000 luftëtarë të tij janë vrarë në javët e fundit, shumica prej tyre të dënuar, tha zoti Kirby.
Brenda Rusisë, ndikimi i biznesmenit Prigozhin po zgjerohet dhe pavarësia e grupit të tij nga Ministria ruse e Mbrojtjes “është rritur gjatë 10 muajve të kësaj lufte”, tha Kirby, pa dhënë prova.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Sigurisë Kombëtare, John Kirby tha se në disa raste, zyrtarët ushtarakë rusë në Ukrainë ishin në varësi të forcave të grupit Wagner.
Drejtuesi i këtij grupi, Prigozhin ka kritikuar gjeneralët dhe zyrtarët rusë të mbrojtjes për paraqitje të dobët që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës. /VOA/