14.1 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

ShBA e ashpër pas aksionit të sotëm në veri: Partneriteti ynë me Kosovën po përkeqësohet dhe po rritet

- Advertisement -

Qeveria amerikane ka shprehur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me atë që e kanë cilësuar si veprime të vazhdueshme të pakoordinuara nga Qeveria e Kosovës, pas aksionit të sotëm të Policisë së vendit në katër komunat veriore.

Në një komunikatë të publikuar nga Ambasada Amerikane, fillimisht thuhet:

“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Tutje, thuhet se veprimi i sotëm i Policisë së Kosovës u bë nën drejtimin e Qeverisë së Kosovës dhe se mbyllja e strukturave të përkrahura nga Serbia, duhej zgjidhur përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“…Ky veprim nuk është koordinuar me asnjë pikë të komunitetit ndërkombëtarë” – thuhet tutje.

ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.” – shkruan mes tjera.

Një tjetër deklaratë e rëndë në këtë komunikatë, është ajo ku ShBA thekson mbështetjen e saj dhe krenarinë për themelimin e Policisë së Kosovës, e cila tashmë sipas saj, është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.

Krejt në fund ndërkaq, ShBA paralajmëron se këto veprime, do të ndikojën në bashkëpunimin e saj me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Përderisa qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin, instrumentalizimi i vazhdueshëm i Qeverisë i Policisë së Kosovës për të kryer veprime të pakoordinuara nuk është në përputhje me premton të “vazhdojë konsultimin dhe koordinimin me komunitetin ndërkombëtar”. Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj.” – thuhet në fund.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit