Avokati Hasan Shala, ka komentuar ngërçin politik në Kosovë pas zgjedhjeve, duke theksuar se përgjegjësia për krijimin e institucioneve bie mbi partinë fituese.
Sipas tij, nëse ekziston vullnet politik, zgjidhjet mund të gjenden shpejt, duke përmendur si shembull raste të mëhershme të arritjes së marrëveshjeve politike.
“Sikur u zgjodh për 24 orë kryeprokurori i ri, nëse ka vullnet, edhe kjo çështje zgjidhet. E përmend rastin e Hashim Thaçit, i cili kishte fituar rreth 35 për qind të votave dhe u arrit konsensus për qeverisjen e vendit. Nëse ka interes për shtetin, duhet të gjendet zgjidhja. Bashkësia Evropiane dhe Parlamenti Evropian po thonë se është humbur një vit për Kosovën. A kemi nevojë të humbim edhe një vit tjetër? Për këtë duhet të marrë përgjegjësi partia që i ka fituar zgjedhjet, sepse qytetarët ia kanë besuar udhëheqjen e shtetit”, ka deklaruar Shala në Tëvë1.
Ai u shpreh se, ndonëse opozita ka përgjegjësi për bllokimin e procesit, edhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të tregojë më shumë gatishmëri për kompromis.
“Është e vërtetë që opozita po bllokon, por edhe qasja e Vetëvendosjes ka ndikim. Pse të mos zhvillohen takime dhe të kërkohet një emër që mund të marrë mbështetje? Nuk duhet të bëhen lojëra politike as me partitë e as me qytetarët. Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, qytetarët duhet t’i ndëshkojnë ata që nuk po formojnë institucionet, por vetëm po bëjnë lojë politike”, ka thënë Shala.






