Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala ka vlerësuar se kryeministri, Albin Kurti në negociatat e Ohrit e ka pranuar Asociacionin me kompetenca të shtuara ekzekutive.
Madje, Shala ka thënë se qeveria aktuale në marrëveshjen e Ohrit, ka shtuar edhe pasues tjerë që bien ndesh me çdo parim të Kushtetues.
“Qeveria e Kosovës, kryeministri në negociatat e Ohrit e ka pranuar Asociacionin edhe atë jashtëzakonisht keq dhe me kompetenca të shtuara ekzekutive, duke shtuar edhe shumë pasues që nuk kanë qenë në marrëveshjen e 2013-tës e as të 2015-ës, siç është çështja e Kishës Ortodokse Serbe, çështja e kompetencave në arsim, e rezolutës 1244 e shumë pika tjera të cilat tashmë PDK-ja i ka bërë publike dhe ka shprehur kundërshtimin e saj sepse kjo marrëveshje bie ndesh me çdo parim të Kushtetutës”, është shprehur ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë 1.
Më tej, deputeti i PDK-së, ka komentuar edhe qasjen e kësaj qeverie në dialog, duke konsideruar se po shkon në negociata pa agjendë, pa program, pa platformë e pa unitet të brendshëm.
“Qeveria po shkon në negociata pa agjendë, pa program, pa platformë, pa unitet të brendshëm, pa grup negociator dhe pastaj gjuhen tema si herë tabelat, herë pushteti lokal e herë marrëveshja e energjisë”, ka thënë ai.
Për Shalën, me sjelljet e kësaj qeverie partnerëve ndërkombëtarëve po u humb durimi.
“Pas Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, liderë të caktuar të fuqishëm të shteteve partnere dalin në konsistencë me qëndrimin e ShBA-ve dhe paralajmërojnë se po i vije fundi durimit të tyre dhe sjelljes së kësaj qeverie në këtë formë. E dhimbshme për shtetin, institucionet e vendit tonë, qytetarët, ekonominë, integrimin dhe fuqizimin e shtetit tonë”, ka shtuar ai.