Kosova ka përfituar mbi 7 miliardë euro të hyra nga remitancat e diasporës gjatë periudhës qershor 2021 – qershor 2026.
Sipas Agim Shahinit, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), pjesa më e madhe e këtyre mjeteve është orientuar në konsum dhe patundshmëri, ndërsa vetëm 2 për qind në prodhim.
“Kjo tregon që Kosova ka të hyra të mjaftueshme nga diaspora, por nuk ka orientim të mjaftueshëm për investimet e diasporës. Mbi 7 miliardë euro të hyra për Kosovën në këtë periudhë janë shumë mjete, por kryesisht këto 80 për qind janë në patundshmëri, janë mjete në konsum, në blerje të banesave e të lokaleve, kurse vetëm 2 për qind prej tyre janë në prodhim”, ka deklaruar Shahini në emsionin “Ditari” në Tëvë1.
Tutje, Shahini ka vlerësuar se mungesa e strategjisë dhe politikave për mbështetjen e prodhimit po bën që një pjesë e mjeteve të diasporës të përdoren për blerjen e produkteve të gatshme nga jashtë.
“Kjo na tregon se në Kosovë ka nevojë shumë për prodhim, por kemi mungesa të strategjisë për të mbështetur prodhimin. Ne si Aleancë Kosovare e Bizneseve e vlerësojmë kontributin e vazhdueshëm të diasporës, por do të ishte shumë më profitabile dhe do të kishte shumë më shumë qëndrueshmëri ekonomike sikur këto mjete të dedikoheshin në prodhim”, është shprehur ai.






