Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, në EURO n’T7 ka thënë se, kur mendojmë për projektet amerikane që i ofrohen Kosovës, siç është rasti i fundit i gazit amerikan, duhet ta kujtojmë ndihmën e shtetit mik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë luftës sonë çlirimtare, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Sipas tij, nuk ka shqiptar patriot që mund t’u thotë jo investimeve amerikane në vend.
“Ne nuk mund ta mendojmë zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe integritetin tonë territorial në këto kushte pa mbështetjen amerikane. Në aspektin e sigurisë së shtetit tonë, nëse i themi jo projektit të gazit amerikan, mund të ndryshojnë shumë gjëra. Sa i përket rrugëtimit tonë, mund të kemi raporte negative me personat dhe institucionet që i thonë jo këtij projekti. Natyrisht, jo me popullin e Kosovës, por populli i ka votuar institucionet dhe normalisht që ka lidhshmëri”, ka thënë kreu i AKB-së.
Sipas tij, projekti i gazit amerikan është strategjik për sigurinë kombëtare dhe energjetike, pasi ai nuk do të përdoret vetëm për prodhimin e energjisë, por edhe për ngrohje, gjë që aktualisht mungon në Kosovë.
“Si AKB, por edhe me miqtë tanë vendorë e ndërkombëtarë, jemi duke lobuar që Kosova ta ketë gazin amerikan, sepse vërtet i duhet. Ne duhet ta mbështesim të gjithë, pa asnjë dyshim, këtë projekt, sepse investimet amerikane janë edhe siguri kombëtare dhe territoriale. Në një vend ku ka investime të mëdha amerikane nuk mund të ketë pasiguri territoriale ose juridike. Janë të papranueshme deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë kur thonë se ne do të blejmë gaz me kamion”, ka shtuar Shahini
Kreu i AKB-së ka komentuar edhe faktin se Lëvizja Vetëvendosje është votuar nga populli pa e premtuar apo përkrahur projektin e gazit amerikan, duke thënë se njëjtë ka ndodhur edhe me popullin iranian në vitin 1979, kur votoi për ndryshim të pushtetit, por që prej atëherë jeton në varfëri.






