Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë. Çfarë duhet bërë?
Në një tekst autorial në “peacefare” analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Serwer, thotë se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.
Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegojnë edhe kompetenca shtesë.
“Marrëveshja e vitit 2013 parasheh integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe institucionet gjyqësore, si dhe aplikimin e kornizës ligjore të Kosovës në të gjitha komunat me shumicë serbe. Ajo parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tash, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes”, shkruan Serwer, transmeton Telegrafi.
Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, thotë se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, kundërshtoi formimin e Asociacionit ndërsa ishte në opozitë. “Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit të tij. Ndryshe nga Kurti, presidenti serb Aleksander Vuqiq, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.
Por, sipas tij, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.
“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve të 90-ta. Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, shkruan Serwer.
Ai thotë se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.
Siç thekson Serwer, deri më tash nuk ka asgjë të re për marrëveshjet e dështuara mes Kosovës dhe Serbisë. Shumë nga marrëveshjet teknike të para vitit 2013 arritën zbatim të pjesshëm ose të vonuar”.
Për arsye që ende nuk dihen, Serwer shton se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”.
Serwer thotë se evropianët kanë sjellë pasoja për dështim në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit.
“Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Serwer.