14 C
New York
Monday, April 22, 2024

Buy now

Serbia me notë proteste pas deklaratës së ministrit të jashtëm kroat për presidentin Vuçiq

- Advertisement -

Serbia ka dërguar të dielën një notë proteste pasi ministri i jashtëm i Kroacisë e përshkroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si një “satelit” rus në Ballkan.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo ishte përplasja e fundit midis dy fqinjëve që kanë qenë në mosmarrëveshje për shumicën e kohës që nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë në vitet 1990.

Ndryshe, ministri i Jashtëm kroat Gordan Grlic Radman i tha televizionit N1 të shtunën se Vuçiq duhet të vendosë në cilën anë është, Rusisë apo Bashkimit Evropian, “sepse është e pamundur dhe e pakëndshme të ulesh në dy karrige në të njëjtën kohë”.

“Ai nuk duhet të ketë një dilemë të madhe”, ka theksuar Grlic Radman, duke thënë se Vuçiq mund të mbetet aleat i Moskës, por ndikimi “malinj” rus që mund të minojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor nuk do të lejohet.

Dhe pas kësaj, ka ardhur reagimi nga Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë.

“Ministri kroat jo vetëm që ndërhyn brutalisht në punët e brendshme të Serbisë, por si zakonisht gënjen dhe fyen popullin serb dhe kërcënon qytetarët e tij”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Ndërsa në notën e saj protestuese, Ministria e Jashtme e Serbisë tha se pret që në të ardhmen zyrtarët kroatë “do të përmbahen nga deklaratat që paraqesin ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë dhe do të udhëheqin një politikë pajtimi dhe marrëdhënie të mira fqinjësore mes dy shteteve”.

Qeveria e Vuçiqit ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën pavarësisht agresionit të saj kundër Ukrainës, dhe lideri autokratik serb shpesh është mburrur për marrëdhëniet e tij të ngushta personale me presidentin rus Vladimir Putin, pavarësisht ofertës zyrtare të Serbisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Serbia ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, një aleate tradicionale sllave, ndërkohë që ka lejuar mediat propagandistike të Moskës si RT dhe Sputnik të përhapin narrativën e tyre.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë në mënyrë të përsëritur se Serbia duhet të përafrojë politikat e saj me bllokun nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet, dhe kanë paralajmëruar për rritjen e ndikimit rus në rajon.

Kroacia, e cila është një anëtare e BE-së dhe NATO-s, dhe Serbia janë përfshirë në një seri grindjesh midis zyrtarëve të tyre vitet e fundit.

Të dy vendet janë përfshirë së fundmi edhe në një “mini-garë armatimi” që analistët besojnë se mund të përshkallëzojë më tej tensionet në rajon.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit