Ish-kryediplomati i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë se sfida e vërtetë e Kosovës sa i përket çështjes së anëtarësimit në Këshillin e Evropës mbetet qëndrimi i liderëve të Francës dhe Gjermanisë, bazuar në presionin e këtyre dy vendeve ndaj qeverisë së Kosova për nevojën e hapave të shpejtë në themelimin e Asociacionit si parakusht për anëtarësim në KiE.
Sipas Selimit, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk janë sfidë për Kosovën në lidhje mundësitë e anëtarësimit në këtë organizatë pavarësisht presionit nga Beogradi te shtetet fqinje.
“Mali i Zi ose Maqedonia e Veriut nuk është sfida e Kosovës te KiE. Që të dyjat janë përkrahëse të Kosovës, pavarësisht ndryshimeve elektorale dhe ndikimeve tentuese nga Beogradi. Sfida e fundit dhe ndoshta e vetmja për Kosovën mbetet qëndrimi i Parisit dhe Berlinit. Jemi dëshmitarë çdo muaj dhe çdo ditë që Qeveria e Kosovës nuk gëzon ndonjë besim tek këta dy aleatë sa i përket normalizimit dhe dialogut. Koalicioni në pushtet në Kosovë e kontrollon qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën dhe nuk ka ndonjë arsyetim për dështim aq eklatant dhe dëmtues, në komunikim me Quint”, tha ai në një përgjigje për Nacionalen.