Frank Schwabe, kryetar i delegacionit gjerman në Këshillin e Evropës, ka folur për gjasat e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë të njohur evropiane.
Në një deklaratë për DW, Schwabe është dukur më i rezervuar në parashikime. Sipas tij, shanset për këtë anëtarësim janë 50/50.
“Nga këndvështrimi i sotëm, shanset janë 50/50 për qind. Hapi domethënës që arritëm me shumicën në Asamblenë Parlamentare sigurisht që ka lënë përshtypje tek qeveritë, ministrat dhe komisionet. Por ka ende shumë për të bërë”, tha politikani socialdemokrat.
Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së sotme tha se është optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës (KiE) për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Kurti për Deutsche Welle.
“Së pari, më duhet të falënderoj deputetët gjermanë që na kanë ndihmuar aq shumë dhe kanë punuar pa kursim e pa rezerva, e në veçanti do të kisha theksuar Frank Schwabe dhe Knut Abraham, të cilët mbajtën fjalim në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill. Por kjo mbështetje e madhe për Republikën e Kosovës me 131 vota për, krahasuar me 29 kundër, 82 përqind në mbështetje të vendit tonë, do të duhej që të reflektohej edhe në Këshillin e Ministrave. Prandaj po punojmë që edhe Gjermania në Këshillin e Ministrave të reflektojë vullnetin e saj pozitiv edhe te të tjerët. Ne po e ndihmojmë Gjermaninë që të na ndihmojë neve dhe në këtë mënyrë Kosova të bëhet anëtare e 47-të e Këshillit të Evropës”.