Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës njofton se me qëllim që të informojë shefat e grupeve parlamentare lidhur me nismën legjislative nga qytetarët për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe për të kërkuar mbështetjen e deputetëve nga këto subjekte politike kanë takuar përfaqësuesit e tyre.
SBASHK-u e bën të ditur se pas takimit me shefin e Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi dhe me shefen e Grupit parlamentar të VV- së, Mimoza Kusari Lila, përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë pasur takime të ndara edhe me shefin e Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri dhe me shefin e Grupit parlamentar të PDK-së, Abelart Tahiri.
“Edhe në këto dy takime të ndara kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj bashkë me nënkryetaren Vjollca Shala, koordinatorin për organizim të brendshëm Ymer Ymeri e zyrtarin ligjor Blendor Shatri, kanë informuar shefat e grupeve parlamentare të AAK-së Besnik Tahiri dhe Abelart Tahiri lidhur me arsyen e kësaj nisme legjislative me qytetarë, për angazhimet e deritashme dhe për aktivitetet që do të bëhen deri te momenti i dorëzimit të mijëra nënshkrimeve në mënyrë solemne te kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, që do të bëhet në fillim të javës së ardhme”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
Gjithashtu bëhet e ditur se përfaqësuesit e SBASHK-ut kanë kërkuar edhe në këto takime që deputetët e këtyre dy subjekteve politike ta mbështesin këtë nismë legjislative duke e votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04L-131 për skemat pensionale të financuara nga shteti, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08L- 248.
Sipas zyrës për informim të SBASHK-ut, shefat e këtyre dy grupeve parlamentare kanë përgëzuar SBASHK-un për këtë aktivitet dhe janë shprehur të bindur se deputetët e Parlamentit të Kosovës do ta mbështesin dhe do ta votojnë këtë projektligj, që është nismë legjislative nga qytetarët.