Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur një takim me kryetarët e Sindikatave Komunale të Arsimit Parauniversitar (SKAP) dhe kryetarin e Sindikatës së Universiteteve të Shkencës dhe Kulturës (SUSHK).
Përmes një komunikate për media, thuhet pas diskutimeve, u arrit marrëveshja për formimin e një komisioni që do të hartojë Draft-Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, e cila do të përfundohet brenda një jave pastaj draftin final do të dorëzohet në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Në takim u vendos gjithashtu që SBASHK-u të fillojë një iniciativë qytetare për ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, duke mbledhur mbi 10 mijë nënshkrime nga anëtarët dhe qytetarët e tjerë për t’i dorëzuar në Parlament për procedurat e duhura.
Po ashtu, SBASHK-u do t’i kërkojë Qeverisë për një rritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30%.
“Nga takimi doli kërkesa që t’i drejtohet MASHTI-t dhe Qeverisë, për ngritje të vlerës së koeficientit të pagave prej së paku 30% me rishikim të buxhetit të vitit 2024 ose me vendim të Qeverisë, por kjo ngritje të filloj së zbatuari me pagën e muajit shtator 2024”, njofton SBASHK-u.
“Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën brengosje të thellë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, sidomos për pagesën e përvojës së punës në 15 vitshin e parë, por ende të paguhen me 0.25%, edhe pse Kushtetuesja ka konstatuar që kjo është shkelje kushtetuese dhe me këtë që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave, të punësuarit dëmtohen me rreth 4% të pagës. Kërkojmë nga Qeveria që këtë vendim të fillojë t’a implementojë në mënyrë retroaktive nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave”.