Juristi amerikan: Në apel do të vëzhgoja katër çështje kryesore – nga qëllimi kriminal te dallimi mes udhëheqjes politike e ushtarake

- Advertisement -

Paul Williams, dëshmitari i dytë nga radhët e mbrojtjes së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara në Hagë, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë dhe dënimet e shqiptuara ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Williams është jurist amerikan, i cili në vitin 1999 ka shërbyer si këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje.

Në një prononcim për Lajmi.net lidhur me aktgjykimin, Paul Williams ka thënë se është “thellësisht i zhgënjyer”, duke theksuar se ka dëshmuar në mbrojtje dhe se dëshmia e tij ndikon në këndvështrimin e tij për rastin.

Sipas Williamsit, e drejta penale ndërkombëtare duhet të fokusohet te lidhja e qartë ndërmjet veprimeve dhe qëllimit të individit dhe krimit për të cilin ai akuzohet.

“E drejta penale ndërkombëtare është në pikën e saj më të fortë kur kalon nga krimi te i akuzuari përmes një zinxhiri të qartë të veprimeve dhe qëllimit individual. Ajo bëhet më e cenueshme kur një teori e gjerë e qëllimit kolektiv bart një pjesë tepër të madhe të kësaj barre”, tha ai.

Duke folur për procesin e apelit, Williams ka identifikuar disa çështje që, sipas tij, duhet të shqyrtohen me vëmendje.

“Do t’i vëzhgoja veçanërisht katër çështje: përkufizimin dhe dëshmimin e qëllimit të përbashkët kriminal të pretenduar; provat që vërtetojnë se secili i akuzuar e ka pasur në të vërtetë qëllimin e kërkuar kriminal; nëse Trupi Gjykues ka bërë dallimin e duhur ndërmjet udhëheqjes politike dhe ushtarake dhe pjesëmarrjes në një ndërmarrje kriminale; si dhe nëse përfundimet e nxjerra nga provat rrethanore kanë qenë të vetmet përfundime të arsyeshme që mund të nxirreshin përtej dyshimit të arsyeshëm”, tregoi juristi amerikan.

Trupi Gjykues dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe ndaj tij palët kanë të drejtë ankese.

Të ngjashme

Të fundit