Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, thotë se dorëheqja e gazetares nga RTK, Arlinda Sejda, “është një alarm i madh për lirinë e medias në Kosovë”.
Lushtaku deklaron se “kur gazetarët detyrohen të largohen nga puna për shkak të presioneve politike, nuk kemi më një televizion publik në shërbim të qytetarëve, por një mekanizëm propagande në shërbim të pushtetit, i cili po rrëshqet në autoritarizëm.
“Një nga çështjet që lidhet drejtpërdrejt me këtë rast është edhe kërkesa e papranueshme që, sipas informacioneve të bëra publike, të inskenohej një video e rreme për të krijuar përshtypjen tek publiku se kinse unë kam sulmuar eskortën e Albin Kurtit në Skenderaj, në fund të janarit 2025. Kur kërkohet të fabrikohen ngjarje që nuk kanë ndodhur, nuk flasim më për gazetari, por për manipulim të organizuar”, vijon Lushtaku.
“Kush është ky regjim që i suspendon policët pse nuk hartuan raportin policor sipas direktivave të tyre? Çfarë regjimi është ky që u dikton gazetarëve çfarë të raportojnë? Çfarë pushteti është ky që ushtron presion mbi profesionistët, i ndëshkon kur nuk binden dhe tenton të prodhojë “fakeneës” sipas interesave të veta?”, pyet kryetari i Skënderajt.
Lushtaku thekson se “liria e medias është themeli i demokracisë. Sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj së vërtetës dhe ndaj çdo qytetari të Kosovës”.
“Solidarizohem me Arlinda Sejdën dhe me çdo gazetar që ka zgjedhur të mbrojë integritetin profesional përballë presioneve politike. Asnjë pushtet nuk ka të drejtë ta kthejë televizionin publik në zyrë propagande dhe as t’i detyrojë gazetarët të bëhen autorë të skenarëve të rremë. E vërteta nuk mund të ndryshohet me presion dhe as frika nuk do ta zëvendësojë kurrë lirinë. Historia i ka dënuar gjithmonë ata që tentuan ta shuajnë fjalën e lirë, dhe i njëjti fat e pret edhe këtë pushtet autoritar në Kosovë!”, përfundon Lushtaku.






