7.9 C
New York
Tuesday, December 10, 2024

Buy now

Sakrifica e Leard Sadriut, qëndroi në grumbullim me gisht të thyer vetëm e vetëm ta ndihmojë Kosovën

- Advertisement -
Leard Sadriu ka marrë për herë të parë ftesë nga Kombëtarja A e Kosovës dhe kjo erdhi falë formës së shkëlqyer që ka treguar në kampionatin slloven me skuadrën e Murës.

Përkundër se nuk u paraqit në dy ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Lituanisë, Sadriu ka bërë ëndrrën e tij realitet që të grumbullohet nga Kombëtarja A.

Por në ndeshjen e fundit në kampionatin slloven, Sadriu theu gishtin e dorës dhe tanimë është operuar

Përkundër se kishte gishtin e thyer, ai vendosi që ta shtyjë operimin dhe të vijë në grumbullim me Kombëtaren, pasi dëshira ishte e madhe të jap kontribut për vendlindjen.

“E kam thyer gishtin në ndeshjen e fundit ndaj Radomljen dhe ishte planifikuar operimi. Por në atë moment kur mora ftesën nga Kosova vendosa që ta shtyje operimin”, tha fillimisht Sadriu për Telegrafin.

Ai ka qëndruar me dhimbje dhe gisht të thyer në 10 ditët e fundit, pasi dëshira ishte e madhe që të qëndronte në grumbullim dhe ta ndihmojë Kombëtaren e Kosovës nëse kërkohet ndihma e tij nga trajneri Franco Foda.

“Kam punuar gjatë për këtë ftesë dhe jo vetëm me gisht të thyer, por edhe me një këmbë do të futesha në fushë për ta ndihmuar vendin tim. Për mua është një ëndërr e bërë realitet që kam marrë ftesë nga Kombëtarja e Kosovës, por edhe një shpërblim për punën e madhe dhe sakrificën që kam bërë deri më tani”, vazhdon tutje Sadriu.

Sadriu tani është operuar dhe operimi ka shkuar me sukses, derisa pritet që në fundjavë të rikthehet në aksion me Murën, por që do të vazhdoj të mbajë një mbrojtëse në dorën.


Qendërmbrojtësi ferizajas është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer në kampionatin slloven te Mura, ku nuk munguan edhe ofertat gjatë verës, megjithatë ai mbeti te skuadra bardhezi.

“Ka pasur oferta, por kemi vendosur së bashku me klubin për të qëndruar së paku edhe këtë edicion. Të shohim afatin kalimtar të janarit nëse do të ketë lëvizje”.

23-vjeçari ka zhvilluar 13 ndeshje në elitën e futbollit slloven duke shënuar një gol e duke asistuar në një tjetër, derisa ka qenë mbi gjashtë herë pjesë e formacionit të javës në Slloveni.

“Jam në formë shumë të mirë dhe lirisht mund të them se është forma më e mirë në karrierën time deri më tani. Gjithsesi ky është vetëm fillimi pasi çdo ditë punoj shumë që të përmirësohem edhe më shumë dhe të bëj hapa të tjerë në karrierë”, vazhdoi Sadriu.

Sadriu e ka nisur karrierën te Ferizaj në Kosovë, derisa ka luajtur edhe për Shkëndijën e Tetovës dhe Skënderbeun e Korçës, derisa ka dy vite e gysmë që është pjesë e Murës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit