Latif Gashi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Llapit, ka treguar një episod nga periudha kur po gjykohej nga UNMIK-u.
Gjatë një interviste në emisionin “Pressing” në T7, Gashi tha se në atë kohë ishte pyetur nga një rus për numrin e ushtarëve dhe policëve serbë që kishte vrarë gjatë luftës.
Sipas tij, pyetja i ishte bërë në formë private, pasi bashkëbiseduesi kishte dëgjuar se Gashi kishte marrë pjesë në betejat e zhvilluara në rajonin e Llapit.
Gashi tha se pyetjes i ishte përgjigjur me ironi, duke deklaruar se kishte shkrepur rreth një milion plumba dhe se, sipas së njëjtës logjikë hipotetike, mund të kishte vrarë “500 mijë” persona.
“Rusi më tha nëse mund të më bënte një pyetje private. Më pyeti nëse ishte sekret të tregoheshin sa ushtarë dhe policë i kisha vrarë, pasi, sipas tij, kishin dëgjuar se kisha qenë pjesë e të gjitha betejave në Llap. I thashë se kam shkrepur një milion plumba dhe se nuk besoj që kam vrarë një milion, por 500 mijë po”, ka rrëfyer Gashi.
Ai tha se, pasi përgjigjja e tij u cilësua si hipotetike, kishte reaguar duke thënë se edhe vetë pyetja ishte e tillë.






