-2.6 C
New York
Friday, December 27, 2024

Buy now

Sa mjekë e infermierë nuk ishin në vend të punës gjatë kontrollit të komisionit të QKUK-së në vitin 2023?

- Advertisement -

Mosrespektimi i orarit të punës është trend edhe në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe në spitale tjera rajonale.

“Betimi për Drejtësi” i ka siguruar përmes Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës 11 raporte të Komisionit për Kontroll të Brendshëm të QKUK-së të vitit 2023, ndërsa nga burimet e veta gjashtë të tjera.

Në raporte tregohet mungesa e mjekëve e infermierëve në orar të punës dhe mosrespektimi etik i punës.

Në raportin e Klinikës Emergjente të datës 25 gusht 2023, thuhet se kanë munguar 8 mjekë dhe 10 infermierë. Në po të njëjtën klinikë më 9 tetor 2023, në vend të punës nuk janë gjetur 7 mjekë.

Në raportin e Neurologjisë thuhet se kanë munguar 8 mjekë.

20 ditë më pas më saktësisht më 23 tetor 2023, komisioni kishte shkuar përsëri për kontroll në këtë klinik, atë ditë nuk raportohet se ka pasur mungesë të personelit por nuk ishte respektuar kodi etik i punës.

Dy mjekë kishin munguar edhe në Klinikën e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve, gjatë kontrollit të bërë më 21 nëntor 2023. Sa i përket etikës së punës, në raport thuhet se infermieret janë gjetur pa uniforma dhe të pa përgatitura për punë.

Në Klinikë e Kirurgjisë Plastike në vend të punës është gjetur vetëm një mjek dhe dy specializantë, ndërsa mjekët e tjerë mungonin duke mos specifikuar cilët mjekë, ndërsa në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale ishin vetëm pesë mjekë në vend të punës.

Ndryshe, nga klinikat e tjera, në raportin e Instituteve Paraklinike të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjatë kontrollit është kuptuar se orari i punës fillon në ora 8:00, jo në ora 7:00 ashtu siç fillon në të gjitha klinikat dhe spitalet rajonale.

Lidhur me orarin e punës në këtë institut,drejtoresha Merita Hashani, ka thënë se orari aktual është trashëguar nga menaxhmenti i kaluar, ndërsa arsyeja pse funksionojnë me këtë orar është për shkak se nuk kanë pacientë të shtrirë.

“Ky orar është i publikuar në hyrje të institutit, mundeni me ardh me pa kur të doni. Ky orar është i trashëguar në momentin e themelimit të institutit s’ka kurrgjë që është enigmë në atë drejtim realisht”, ka thënë Hashani.

E pyetur nëse e kanë diskutuar me menaxhmentin e ShSKUK-së, ajo ka thënë se “çështja e orareve është në diskutim e sipër lidhur me orët e me rrezikshmërinë e me të gjitha nga menaxhmenti aktual kështu që s’ka kurrgjë aty që s’dihet”.

Mungesë të personelit gjatë orarit të punës raportohet se ka edhe në spitale rajonale.

Në raportin e Spitalit të Gjilanit thuhet se në Klinikën Emergjente gjatë kontrollit ishin prezentë vetëm dy mjekë dhe një infermiere, ndërsa mjekët dhe infermierët tjerë nuk ishin në vend të punës.

Mungesë e mjekëve në reparte, pakënaqësi ndaj menaxhmentit e keqpërdorime të detyrës zyrtare, janë disa nga raportimet e komisionit për spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë.

Në raportin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjatë kontrollit në repartin koronar në vend të punës është gjetur vetëm një kardiolog kujdestar, derisa theksohet se reparti ka nevojë për masa disiplinore që të ngritët niveli i mjekëve në vendin e punës.

Ndërsa, sa i përket Repartit të Ortopedisë në raport është theksuar se ka nevojë për ndërhyrje pasi që ka keqpërdorime keqpërdorim të detyrës së shefit si dhe nuk posedojnë listë të regjistrimit të pacientëve

Pak metra më larg, tek Klinika e Mjekësisë së Punës në Gjakovë raporti na tregon se problemet janë të ngjashme me ato në spital. Në evidencën e shkuarje – ardhjes raportohet se kishte keqpërdorime, derisa thuhet se drejtori i qendrës nuk ka qenë në vend të punës.

Ndryshe nga klinikat e tjera, klinika e Kardiologjisë I, një pjesë të madhe të specialistëve e kishte jashtë vendit, më 25 gusht 2023, 15 specialistë kanë qenë në kongresin e kardiologjisë në Amsterdam ndërsa në Kardiologjinë II gjashtë mjekë raportohet se ishin në kongresin e kardiologëve.

Në listën e gjatë të mosrespektimi të orarit të punës janë edhe 24 zyrtarët e administratës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Ndërsa, sa i përket mosrespektimi të kodit etikë të veshjes, në raporte thuhet se në Klinikën e Urologjisë, Neurokirurgjisë, Neurologjisë dhe Internos infermieret nuk e kanë respektuar kodin etik të veshjes.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit