Antonio Rüdiger nuk e ka fshehur zhgënjimin për dy sezonet e fundit të Real Madridit, të cilat klubi i ka mbyllur pa fituar trofe madhorë.
Mbrojtësi gjerman, në një intervistë për “The Athletic”, ka folur hapur për periudhën e vështirë në Madrid dhe ndryshimet e shumta në stolin e trajnerit.
“Dy vite pa fituar asgjë te Real Madridi. Është e tmerrshme”, deklaroi Rüdiger, duke pranuar se mungesa e trofeve është diçka shumë e vështirë për t’u pranuar në një klub me ambiciet e madrilenëve.
Gjermani foli edhe për Xabi Alonson, të cilit i kishte dërguar një mesazh për t’i uruar suksese pas shkarkimit.
Ai e vlerësoi si trajner me ide të qarta dhe futboll kërkues, duke pranuar se skuadra kishte luajtur shumë mirë deri në nëntor, por kishte dështuar në ndeshjet e mëdha.
Për Carlo Ancelottin, Rüdiger kishte vetëm fjalë të mira, duke e cilësuar si një figurë atërore për futbollistët.
Sa i përket José Mourinhos, me të cilin tani punon te Reali, mbrojtësi beson se portugezi di të ndërtojë skuadra fituese.
Ndërkohë, për Viniciusin dha mbështetje të plotë: “Na nevojitet Vinicius, një Vinicius në formë të mirë fizike dhe mendore. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne”.






