Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se administrata e presidentit Donald Trump do të intensifikojë përpjekjet për të “çmontuar” Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC), duke e akuzuar institucionin se po përdor ligjin ndërkombëtar për të sulmuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.
Në një artikull të publikuar në Wall Street Journal, Rubio tha se Uashingtoni do të përdorë “çdo mjet të mundshëm” për të dobësuar gjykatën.
“Ne do ta çmontojmë ICC-në, tullë pas tulle, nëse është e nevojshme”, shkroi ai.
Sipas Rubios, administrata amerikane po zhvillon një “fushatë të gjithë qeverisë” kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare, një përshkallëzim i dukshëm i qëndrimit të Uashingtonit ndaj institucionit me seli në Hagë.
Ai akuzoi ICC-në se po zhvillon një “luftë” kundër SHBA-së jo me armë, por “me forcën e të ashtuquajturit ligj ndërkombëtar”.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit deklaroi se SHBA do t’u kërkojë vendeve aleate të refuzojnë juridiksionin e ICC-së dhe të ndërpresin mbështetjen financiare për gjykatën.
Sipas tij, vendet që përfitojnë nga ndihma amerikane ose nga garancitë e sigurisë së SHBA-së mund të përballen me një shqyrtim më të rreptë nëse nuk mbështesin këtë qëndrim.
Administrata Trump ka paralajmëruar gjithashtu masa të tjera, përfshirë ndalime udhëtimi, revokime vizash dhe zgjerim të sanksioneve ndaj zyrtarëve të ICC-së.
Përplasja mes SHBA-së dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare nisi gjatë mandatit të parë të Donald Trump, kur ICC hapi hetime për krime të dyshuara lufte të kryera nga forcat amerikane në Afganistan.
Në mandatin e dytë, administrata Trump ka zgjeruar sanksionet ndaj zyrtarëve të gjykatës edhe për hetimet që lidhen me veprimet e Izraelit.
Rubio e akuzoi gjithashtu ICC-në se mbështetet nga “organizata të majta, globalistë dhe qeveri armiqësore ndaj SHBA-së”, ndërsa hodhi poshtë pretendimet se operacionet ushtarake amerikane në Iran apo deportimet drejt El Salvadorit përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar. /rtsh






