Cristiano Ronaldo vazhdon të shkruajë histori në futbollin botëror.
Ylli portugez shënoi tri gola në fitoren 5-3 të Al Nassr ndaj Al Kholood, duke e çuar në 985 numrin e golave në karrierën e tij dhe duke iu afruar edhe më shumë shifrës historike prej 1 000 golash.
Ronaldo ishte protagonist kryesor në ndeshjen e zhvilluar të enjten në kuadër të Ligës Profesionale Saudite, ku Al Nassr triumfoi pas një përballjeje me tetë gola.
Pas një pjese të parë që përfundoi me rezultat 2-2, sulmuesi portugez mori përgjegjësinë në pjesën e dytë. Ai realizoi në minutën e 66-të, shënoi sërish në minutën e 72-të dhe kompletoi het-trikun në minutën e 81-të.
Me këta tre gola, 41-vjeçari e çoi në 985 numrin e realizimeve në karrierën e tij, duke mbetur vetëm 15 gola larg objektivit të madh prej 1 000 golash.
Kjo shifër përbën një nga synimet më të rëndësishme të karrierës së Ronaldos, i cili vazhdon të jetë vendimtar edhe në këtë fazë të karrierës së tij.
Përveç kontributit individual të portugezit, fitorja ishte e rëndësishme edhe për Al Nassr, që vazhdon garën për kreun e tabelës në kampionatin saudit.
Sadio Mané dhe João Félix ishin gjithashtu pjesë e suksesit të skuadrës, ndërsa Al Kholood shënoi tri herë, por nuk arriti të shmangte humbjen.
Me 985 gola të realizuar, Ronaldo është vetëm 15 hapa larg një objektivi historik. Çdo ndeshje e radhës mund ta afrojë edhe më shumë yllin portugez drejt një shifre që do të shënonte një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në historinë e futbollit.






