Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësim në lidhje me numrin e rasteve të ngacmimeve seksuale në institucionet e arsimit, siç thuhet në reagimin e tyre, veçanërisht në Universitetin e Prishtinës.
Raportimi i ngacmimeve seksuale nga 27 studente të fakultetit të mjekësisë, sipas RrGK-së, shkakton shqetësim të madh për sigurinë dhe integritetin e të gjithë studentëve.
“Kërkojmë nga Këshilli Etik që të trajtojë këtë çështje në mënyrë emergjente, duke respektuar rregulloret dhe ligjet në fuqi dhe duke siguruar mbështetje të plotë për viktimat. Është e rëndësishme që autori i kësaj vepre të ndëshkohet për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe integritetin personal”.
“Po ashtu, bëjmë thirrje në drejtim të rektoratit të Universitetit të ndërmarrë masa të menjëhershme për zbardhjen e këtyre rasteve dhe për të krijuar mekanizma të besueshëm për raportimin e ngacmimeve seksuale. Universitetet duhet të jenë ambiente të sigurta dhe të mbështetjes për studentët, jo vende ku abuzimet tolerohen ose mbulohen” thuhet në reagim.
RrGK-ja kërkojnë shkarkimin e ngacmuesve seksual si dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjit.
“Autorët e këtyre veprimeve janë pjesë e institucioneve publike dhe duhet të përballen me përgjegjësi për veprat e tyre. Kërkojmë shkarkimin e ngacmuesve seksual si dhe ndëshkimin e tyre sipas ligjit. Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që ky rast të trajtohet me seriozitet nga institucionet e drejtësisë dhe të arsimit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për adresimin e tij dhe dënimin e personit përgjegjës”.
“Ngacmimi seksual i vajzave dhe grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngrisim zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Kurse, reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve ndikon në luftimin e tyre dhe krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, thuhet tutje në reagim.