Lojtari më i mirë kosovar në Evropë në vitin 2021 ishte padyshim mbrojtësi, Amir Rrahmani.
Kapiteni i kombëtares së Kosovës dhe lojtari i Napolit, Amir Rrahmani ka kaluar një vit fenomenal në aspektin personal, duke u bërë një nga lojtarët kyç të sukseseve të ekipit napoletan.
Tashmë, Amir Rrahmani është titullar i padiskutueshëm në formacionin e Luciano Spallettit dhe paraqitjet e tij me klubin e Napolit kanë bërë që ai të vlerësohet maksimalisht nga mediumet italiane.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/12/Amirii.jpg)
Por, Rrahmani është vlerësuar edhe nga Federata e Futbollit të Kosovës, pasi është shpallur futbollisti më i mirë i vitit 2021 në manifestimin tradicional “Laureatët e Vitit”.
Në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, kapiteni i Kombëtares së Kosovës dhe anëtari i klubit italian, Napoli, Amir Rrahmani ka potencuar se ky ishte viti i tij më i mirë në aspektin profesional në karrierën e tij.
“Po ka qenë një vit i suksesshëm në aspektin personal, besoj që është viti më i mirë në karrierën time deri tani, por gjithmonë ka vend për përmirësime”, tha fillimisht Amir Rrahmani.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/12/rrahmani-989x600.jpg)
Në dhjetor të vitit 2021 në Nyon të Zvicrës, Dardanët kanë mësuar kundërshtarët në Ligën e Kombeve, ku janë përfshirë në Grupin 2 të Ligës C, ku do të ballafaqohen me Greqinë, Irlandën e Veriut, si dhe fituesin e ndeshjes Qipro-Estoni. Amir Rrahmani thekson se bashkë me lojtarët e Kosovës do të mundohen të shkruajnë historinë e futbollit të Kosovës.
“Po, tani fillojmë një cikël të ri të ndeshjeve me kombëtaren dhe e dimë që asnjë ndeshje nuk është e lehtë sot në futboll, por ne do të provojmë ta hapim një kapitull të ri dhe pse jo të arrijmë dhe të futemi në historinë e futbollit të Kosovës”, vazhdoi kapiteni i kombëtares.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/12/Amirii-3-952x600.jpg)
Në fund, 27 vjeçari foli edhe për ekipin e tij, SSC Napoli ku tha se do të luftojnë deri në fund për t’u shpallur kampion, edhe pse është mjaft e vështirë.
“Besoj që deri në fund do të jemi në luftë për kreun e tabelës, është shumë e vështirë, janë shumë ndeshje – por shpresoj që në fund të jetë një tjetër vit i suksesshëm, pse jo më i suksesshëm se ky tani”, përfundoi Amir Rrahmani.
Klubi i Napolit ndodhet në vendin e tretë në tabelë në Serie A me 39 pikë, tre pikë larg vendit të dytë, Milanit dhe shtatë pikë larg liderit, Inter. Amir Rrahmani ka bërë 17 paraqitje në Serie A në edicionin 2021/22, ku ka shënuar edhe dy gola me Napolin.
![](https://www.gazetaexpress.com/wp-content/uploads/2021/12/rrah-3-900x600.jpg)
Ai në këtë edicion ka qenë në formacionin titullar të Napolit në 89% të rasteve. Në Europa League ai ka zhvilluar pesë paraqitje.
Vlen të potencohet se vlera e tij ka kapur shifrën e 22 milionë eurove, që është rekord për të që nga fillimi i karrierës e deri më sot.