Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Eman Rrahmani ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar subjektin politik që ka për kryetar Albin Kurtin, për përpjekje për rikthimin e, siç e ka quajtur, autoritarizmit dhe përqendrimit të kontrollit institucional te një person.
Para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për votimin dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të këtij institucioni, ish-anëtari dhe ish-deputeti i LVV-së, Rrahmani, ka deklaruar se situata aktuale “i konvenon pushtetit që ka uzurpuar institucionet”, ndërsa ka shtuar se beson që do të përdoren forma të ndryshme për zgjatjen e këtij pushteti.
“Me kthy në vendin tonë autoritarizmin me u kontrollua gjithçka prej një njeriu. Kjo situatë i konvenon dikujt që i ka uzurpuar institucionet ndaj do të provoj çdo mënyrë me i zgjate jetën këtij lloj pushteti të dhunshëm të gjitha institucioneve që i ka uzurpua. Ky ngërç dilet vetëm kur të bëhemi bashkë me popullin”, tha ai.






